Jaye P. Morgan, këngëtarja e njohur amerikane e viteve ’50 dhe më vonë një nga personazhet më të dashura të televizionit, ka vdekur në moshën 94-vjeçare, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
Morgan ka vdekur të hënën në Longview, Washington, nga shkaqe natyrore. Lajmin e bëri të ditur avokati dhe miku i saj prej shumë vitesh, Mark Sendroff.
Morgan ishte ndër këngëtaret më të suksesshme të viteve 1950. Vetëm gjatë vitit 1955, ajo pati pesë këngë të suksesshme në toplistat amerikane. Ndër hitet e saj më të njohura ishin “That’s All I Want From You”, “The Longest Walk”, “Danger! Heartbreak Ahead”, “If You Don’t Want My Love” dhe “Pepper-Hot Baby”.

Ajo pati gjithashtu këngë të suksesshme me këngëtarët Perry Como dhe Eddy Arnold.
Karriera e saj muzikore nisi herët. Në moshën vetëm 3-vjeçare, ajo performonte me familjen e saj në një grup udhëtues vaudeville.
Edhe
Vdiq në moshën 80-vjeçare Dolly Parton, mbretëresha e muzikës country
Në moshën 17-vjeçare filloi të këndonte profesionalisht dhe në vitin 1950 iu bashkua orkestrës së Frank De Vol. Më pas nënshkroi kontratë me “RCA Records” dhe u bë një emër i njohur në muzikën amerikane.
Në vitin 1954, revista DownBeat e shpalli këngëtaren e re më të mirë të vitit, ndërsa më vonë ajo performoi edhe në Las Vegas.
Nga këngëtare në yll televiziv

Në vitin 1956, Morgan pati programin e saj televiziv, “The Jaye P. Morgan Show”, ku shfaqeshin edhe katër nga vëllezërit e saj.
Por fama e saj do të rritej edhe më shumë përmes televizionit.
Ajo u bë mysafire e rregullt në “The Tonight Show” me Johnny Carson dhe u shfaq në programe të njohura si “The Merv Griffin Show”, “The Dick Cavett Show”, “The Mike Douglas Show”, “Love Boat” dhe “Fantasy Island”.
“Unë e marr trupin tim me vete kudo që shkoj”, ka thënë ajo me shaka në një episod të vitit 1972 me Johnny Carson.
Humori i saj spontan dhe personaliteti i paparashikueshëm e bënë shumë të pëlqyer nga publiku.
“The Gong Show” dhe momenti që u bë legjendar

Roli që e bëri Morgan një ikonë televizive ishte “The Gong Show”, ku ajo u shfaq duke filluar nga viti 1976 si një nga gjyqtaret, së bashku me Jamie Farr dhe Rip Taylor.
Edhe
Vdiq Bonnie Tyler, ikona e muzikës së viteve ’80
Në program, njerëz të zakonshëm prezantonin talentet e tyre. Nëse njëri prej gjyqtarëve mendonte se performanca ishte shumë e keqe, godiste gongun dhe performanca përfundonte.
Morgan u bë e famshme për reagimet e saj të çuditshme dhe humorin pa komplekse.
Në një nga episodet më të famshme, ndërsa performonte “Gene Gene the Dancing Machine”, Morgan hapi këmishën e saj dhe ekspozoi gjoksin. Episodi u bë një nga momentet më të paharrueshme të historisë së programit.
“Paguanin mirë dhe ishte një ekspozim i madh. Mua më pëlqeu shumë”, ka thënë ajo duke folur për eksperiencën në vitin 1992
The New York Times më vonë e përshkroi atë duke shkaruar se “është ndoshta më e famshme si personazh televiziv sesa si këngëtare. Por i njëjti guxim i çmendur që karakterizonte komentet e saj ishte edhe pjesë e ndjeshmërisë së saj muzikore”.
Edhe në filma

Morgan pati role në disa filma, ndër ta “The All-American Boy”, “Loose Shoes”, “The Gong Show Movie”, “Night Patrol” dhe “Confessions of a Dangerous Mind”, me regji të artistit të njohur George Clooney.
Ajo u shfaq gjithashtu në “Home Alone 2” me Macaulay Culkin dhe në një episod të paharrueshëm të “The Muppet Show”.
Një jetë në skenë

E lindur me emrin Mary Margaret Morgan në një kabinë druri në Mancos, Colorado, ajo e nisi jetën në skenë bashkë me familjen e saj.
Edhe
Elton John, Oprah Winfrey dhe Paul McCartney i japin lamtumirën Dolly Partonit
Pseudonimin “J.P.” ia dhanë shokët e shkollës, duke e krahasuar me financierin e famshëm J.P. Morgan. Më vonë ajo e ndryshoi në Jaye P. Morgan, duke e përshtatur për veten.
Ajo u martua dhe u divorcua tri herë dhe la pas djalin e saj, Paul Kane.