Showbiz

John Mulaney reagon ashpër ndaj kërcënimeve që po merr familja e tij

John Mulaney dhe Olivia Munn

John Mulaney dhe Olivia Munn

Foto: Associated Press

Prezantuesi i emisionit “Everybody's Live”, John Mulaney, ka reaguar me zemërim ndaj komenteve “të dhunshme dhe kërcënuese” që po i dërgohen gruas së tij, aktores, Olivia Munn, dhe dy fëmijëve të tyre të vegjël, pas një deklarate të saj për YouTuberen e famshme Ms. Rachel.

“Një koment i pafajshëm që bëri gruaja ime Olivia, për programet që u pëlqejnë fëmijëve tanë, për arsye të pabesueshme, është keqinterpretuar sikur ajo nuk u interesoka për vdekjet e fëmijëve në Gaza. Për këtë arsye, gruaja ime dhe dy fëmijët tanë tani po marrin mesazhe të dhunshme dhe kërcënuese në rrjetet sociale”, ka shkruar Mulaney në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ka raportuar FemaleFirst.

Ai ka vazhduar duke thënë se këto gjëra duhet të ndalen dhe njerëzit që po e bëjnë këtë janë jashtë çdo limiti.

“Kjo është tërësisht e çmendur dhe duhet të ndalet. Njerëzit që po e bëjnë këtë janë jashtë çdo limiti dhe nuk po ndihmojnë asnjë kauzë. E kthyet një koment të parëndësishëm në diçka të errët dhe të rrezikshme. Kjo lloj sjelljeje nuk është aktivizëm”, ka shkruar aktori.

Gjithçka nisi kur gjatë një interviste për PEOPLE, Munn ka thënë se nuk i pëlqen që fëmijët e saj të shikojnë disa programe për fëmijë, përfshirë Ms. Rachel.

 “E di që fëmijët e duan Ms. Rachel, por nëse unë nuk mund ta shikoj, nuk do ta kaloj jetën duke u çmendur. Këto emisione për fëmijë më lodhin. Djali ynë, Malcolm, kërkoi të shikonte ‘Blue’s Clues’ së fundmi, dhe nuk e di kush ia tregoi atë program, por ai është tani në listën time të zezë. I thashë: ‘Absolutisht jo. Jo në shtëpinë time.’ John ia ka futur në qejf Spider-Man-in, që për mua nuk është interesant”, ka thënë ajo.

Më vonë, revista e hoqi intervistën nga faqja e saj pa dhënë ndonjë arsye.

Ms. Rachel, e cila njihet për thirrjet e saj publike për ndihmë humanitare për fëmijët në Gaza, pas bujës mediatike, ka reaguar përmes Instagramit.
“Do të doja që të flisnit më shumë për aktivizmin tim për fëmijët në Gaza”, ka thënë ajo.

YouTuberja ka sqaruar se nuk kishte asnjë problem personal me Munnin.

“Nuk më intereson që ajo nuk dëshiron të shikojë programin tim. I dërgoj gjithë dashurinë time asaj dhe familjes së saj”, ka thënë ajo.

Munn, nga ana e saj, më vonë ka kërkuar që situata të mos keqkuptohej.

“Nuk e kisha menduar kurrë që komentet e mia do të interpretoheshin në këtë mënyrë. Qëllimi im nuk ishte kurrë të ulja ndikimin e bukur dhe të rëndësishëm që ajo ka për kaq shumë familje. Nuk dua që një koment jashtë kontekstit t’ia marrë askujt as edhe një minutë gëzimi”, ka thënë aktorja.

Mulaney e ka mbyllur reagimin e tij me thirrjen që sulmet ndaj familjes së tij të ndalen menjëherë.