Ylli i filmit dhe muzikës, Jennifer Lopez, e ka performuar një këngë të re dhe ende të papublikuar për bashkëshortin e saj, Ben Affleck, gjatë dasmës së çiftit, që rrëmbeu vëmendjen e publikut anembanë botës.
Para një jave, dyshja e organizoi një dasmë elegante në Georgia, vetëm një muaj pasi u kurorëzuan në Las Vegas.
Ueb faqja për të famshëm “TMZ” i ka siguruar disa pamje në të cilat, Lopez, shfaqet duke kënduar dhe vallëzuar përpara bashkëshortit të saj të ri.
Kënga e re e yllit JLo, besohet se e mban titullin “Can’t Get Enough” dhe i dedikohet dashurisë dhe pasionit që ajo e ndien për aktorin hollywoodian, raporton portali “NME”.
Ndërkohë, Lopez është shprehur e zhgënjyer për faktin që një mysafir i dasmës së saj, ia ka shitur portaleve videot nga festa e çiftit.
“Kjo video është xhiruar pa leje. Ky është fakt. Dhe kushdo që e ka bërë këtë veprim, ka përfituar nga një moment tejet privat i yni. Nuk e di se kush ka mundur të jetë ai person, sepse të gjithë të ftuarit kanë nënshkruar dokumente për ruajtjen e privatësisë, dhe u kemi kërkuar që të mos postojnë asgjë nga dasma jonë. Është zgjedhja jonë se a duam apo çfarë duam të ndajmë me të tjerët”, deklaroi këngëtarja përmes një postimi në Instagram.
