Showbiz

Priscilla Presley paditet nga ish-partnerët e biznesit, po i kërkojnë mbi 50 milionë dollarë

Priscilla Presley

Priscilla Presley

Foto: Associated Press

Ish-partnerët e biznesit të Priscilla Presley kanë ngritur padi në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, duke kërkuar mbi 50 milionë dollarë dëmshpërblim dhe duke e akuzuar për mashtrim dhe shkelje kontrate, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Brigitte Kruse dhe Kevin Fialko pretendojnë se Priscilla i ka përdorur ata për të përfituar financiarisht nga emri e imazhi i saj, duke fshehur faktin se këto të drejta i kishte shitur dekada më parë.
Padia vjen rreth një vit pasi vetë Priscilla, sot 80 vjeçe dhe ish-bashkëshortja e këngëtarit legjendar, Elvis Presley, kishte paditur Krusen dhe Fialkon, duke i akuzuar se kishin kryer abuzim ndaj një të moshuare në një skemë të “planifikuar me kujdes dhe të neveritshme” për “t’i fituar besimin, ta izolonin nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e saj dhe ta mashtronin se do kujdeseshin për të personalisht dhe financiarisht, ndërkohë që qëllimi i tyre i vërtetë ishte t’ia merrnin edhe qindarkën e fundit që kishte”.

“Provat do të tregojnë se viktimat e vërteta këtu janë klientët e mi, të cilët investuan miliona dhe vite pune për ta ringjallur markën e Priscilla Presleyt, vetëm që të tradhtoheshin dhe të akuzoheshin padrejtësisht sapo paratë ishin në lojë dhe çdo çështje personale e biznesi ishte zgjidhur”, ka thënë në një deklaratë Jordan Matthews, avokati i Kruse dhe Fialkos

Sipas padisë, Kruse është një ankandiste e njohur dhe Fialko një sipërmarrës i suksesshëm, të dy të përfshirë në tregtimin e gjërave personale e me vlerë të Elvis Presleyt. Ata pretendojnë se në vitin 2021, Priscilla iu afrua për ndihmë, duke thënë se po përballej me shkatërrim financiar, dhe ata shpenzuan mijëra orë për ta ndihmuar.

Në këtë periudhë, ata formuan disa kompani për ta shfrytëzuar emrin dhe imazhin e saj, por thonë se Priscilla u fshehu faktin që të drejtat për licencimin e emrit i kishte shitur që në vitin 2005 për 6.5 milionë dollarë tek “Elvis Presley Enterprises”. Kur u përball me provat, ajo fillimisht e mohoi marrëveshjen dhe më pas tha se e kishte harruar.

Padia gjithashtu pretendon se Priscilla u përpoq të përfitonte nga vdekja e vajzës së saj dhe trashëgimtares së Elvisit, Lisa Marie Presley, në vitin 2023, për të pasur më shumë ndikim dhe një pjesë në pasurinë e Elvisit.

Kruse dhe Fialko thonë se ata ndërmjetësuan një marrëveshje mes Priscillas dhe mbesës së saj, aktores Riley Keough, duke i siguruar Priscillës 2.4 milionë dollarë. Por, sipas tyre, ajo i ka shkëputur menjëherë marrëdhëniet me shkelje të kontratave, i ka fyer publikisht dhe më pas i ka paditur.

Nga ana tjetër, padia e Priscillas kundër tyre pretendon se Kruse dhe Fialko e bindën me mashtrim se ishin të domosdoshëm për ta rikuperuar financiarisht, e detyruan të merrte pjesë në kompani fiktive, i morën kontrollin mbi emrin e imazhin, si dhe mbi llogaritë bankare dhe fondet familjare.

“Duke e izoluar dhe duke u futur në çdo aspekt të jetës së saj, të paditurit arritën ta bindnin me mashtrim që t’u jepte kontroll të plotë mbi financat e saj”, thuhet në padi.

Priscilla Presley u bë e famshme që adoleshente për lidhjen me Elvis Presleyn, me të cilin ishte e martuar nga 1967 deri në 1973. Kohët e fundit ajo ka marrë sërish vëmendje të madhe falë filmit të Baz Luhrmann-it “Elvis” (të lansuar në vitin 2022) dhe filmit të Sofia Coppolas “Priscilla” (të lansuar në vitin 2023), i cili ishte i bazuar në kujtimet e saj.

Ajo është gjithashtu aktore, e njohur për rolin në serinë e filmave komedi “Naked Gun” në vitet ’80 dhe ’90, dhe për një lloj paraqitje në versionin e ri të këtij filmi.