Në disa klipe të reja të publikuara nga intervista e fundit e Amber Heardit për emisionin “Today” në NBC, aktorja shihet teksa e pranon se ka bërë shumë gabime në jetë por vazhdon të insistojë se gjithmonë e ka treguar të vërtetën.
Heard i bëri këto deklarata teksa po bashkëbisedonte me prezantuesen, Savannah Guthrie, në një intervistë speciale një orëshe e cila si e plotë do të transmetohet të premten (17 qershor).
Aktorja po ashtu iu kundërpërgjigj deklaratave të avokates së ish-burrit të saj, Camille Vasquez, e cila tha se Amber e ka dhënë performancën e jetës së saj gjatë gjykimit, veçanërisht gjatë kohës sa po jepte dëshmi.
“Këto fjalë vijnë nga avokatja e burrit që e bindi botën se në vend të gishtave ka gërshërë? Dhe unë qenkam performuese. Unë kalova javë të tëra duke dëgjuar dëshmi të cilat në mënyrë shumë të drejtpërdrejt thoshin se jam një aktore e tmerrshme. Prandaj, jam paksa e hutuar rreth deklaratave të saj”.
Më 1 qershor, gjykata vendosi në favor të Johnny Deppit dhe e shpërbleu atë me 15 milionë dollarë për prishje të imazhit nga ana e Amber Heardit, përmes një artikulli të shkruar për “The Washington Post” në vitin 2018, ku ajo e kishte përshkruar veten si viktimë të dhunës familjare. Ani pse në artikull, aktorja nuk e kishte përmendur Deppin me emër, avokatët e tij argumentuan se ajo e kishte përshkruar ish-burrin si figurë abuzive.
Duke folur për dhunën që supozohet të ketë ndodhur në martesën e tyre, Heard tha: “Mua kurrë nuk më është dashur të shpiki dhe supozoj. Unë thjeshtë i jam përgjigjur dhunës që është ushtruar mbi mua. Kur jeton e rrethuar me dhunë, atëherë ajo bëhet normale për ty dhe siç kam dëshmuar edhe më parë, ti detyrohesh të adaptohesh”.
Edhe
Heard flet për herë të parë për verdiktin e jurisë në rastin kundër Deppit
Duke e përshkruar gjyqin si poshtërues dhe diçka që e ka bërë të ndihej “më pak se njerëzore”, Heard e pranoi se para shpalljes së vendimit të jurisë nuk ndihej e sigurt se do ta fitonte rastin, por është e lumtur që e tregoi të vërtetën e saj ani pse e pagoi çmimin për këtë. Aktorja e pranoi se për njerëzit e thjeshtë, ajo dhe Depp dukeshin si “dy persona të llastuar nga Hollywoodi”, por insiston se çështja e saj kishte të bënte me lirinë e fjalës.
Pjesa e mbetur e intervistës ekskluzive do të transmetohet fillimisht në kanalin NBC, e më pas edhe në platformën digjitale “Peacock”.