Ngjarja e madhe e çmimeve për merita artistike dhe teknike në industrinë televizive amerikane dhe ndërkombëtare, “Emmy” është shtyrë për shkak të grevave që po mbahen në Hollywood. Ceremonia ka qenë e paraparë për t’u mbajtur në muajin shtator.
Anëtarët e Shoqatës së Skenaristëve të Amerikës dhe Shoqatës së Aktorëve janë përfshirë në grevën më të madhe në 60 vjet, kundër konglomeratëve të mediave.
Kjo nënkupton se ata s’po punojnë në projekte të reja dhe nuk po marrin pjesë në paraqitje publike, prandaj edhe nuk mund të marrin pjesë në ceremoninë e planifikuar për 18 shtator.
Sivjet do të shënohej edicioni i 75-të i çmimeve prestigjioze.
Data e re e mbajtjes së ceremonisë ende nuk është caktuar, por disa burime kanë konfirmuar për mediat amerikane se data dhe muaji i planifikuar fillimisht nuk janë më në konsideratë. Siç ka raportuar portali “Hollywood Reporter”, organizatorët e ceremonisë janë në bisedime me shoqatat për të arritur marrëveshje.
Rregullat e grevës kërkojnë që aktorët të mos bëjnë publicitet për punën e bërë nga kompanitë, të cilat po i godasin përmes grevës së tyre.
Shtyrja është e para për shoun “Emmy Awards” në më shumë se dy dekada. Akademia e Televizionit dhe kanali CBS e shtynë ceremoninë e vitit 2001 pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ajo u transmetua në fillim të nëntorit të atij viti.
Faza e dytë e votimit për fituesit e çmimeve “Emmy” është ende duke ecur përpara siç ishte planifikuar fillimisht. Anëtarët e Akademisë do të votojnë për gjithë të nominuarit e sivjetmë duke filluar nga 17 gushti.
Përgatiti: Vita Abrashi -Kajtazi