Aktorja e njohur, Gal Gadot, është larguar nga një hotel luksoz në Britani pasi ekipi i futbollit amerikan “Jacksonville Jaguars” u vendos në të njëjtin vend.
Sipas The Sun, 40-vjeçarja po qëndronte në hotelin “The Grove” në Watford, në juglindje të Anglisë, një resort ku një natë mund të kushtojë deri në 2,000 funte britanike, gjatë xhirimeve shtesë për filmin e saj të ri “The Runner”.
Por gjithçka ndryshoi kur në hotel mbërriti skuadra e “Jaguars” për ndeshjen e tyre të ardhshme në Londër.
“Gal po qendronte në luks te ‘The Grove’ dhe ishte shumë e lumtur. Hoteli është i mrekullueshëm dhe ka çdo gjë që mund të dëshirosh. Ishte vendi ideal për të qëndruar gjatë xhirimeve”, ka thënë një burim për rubrikën Bizzarre të The Sun.
Megjithatë, sipas të njëjtit burim, situata ndryshoi menjëherë pas mbërritjes së ekipit amerikan.
“Pasi ‘Jaguars’ u vendosën në hotel, ata morën në dorë pishinën, saunat dhe dhomat e avullit. Kjo bëri që ato ambiente të mos ishin më të qasshme për mysafirët e tjerë para ndeshjes të së dielës”, ka thënë burimi.
Për këtë arsye, aktorja vendosi të largohej.
“Gal përfundoi duke i mbledhur valixhet, së bashku me ekipin e sigurisë dhe ndihmësit e saj, dhe u largua. Tani ajo po qëndron në një hotel luksoz në qendër të Londrës, ku ka në dispozicion të gjitha shërbimet pa kufizime”, ka thënë burimi.
Ndërkohë, në një intervistë të mëparshme për Extra, ylli i filmit “Wonder Woman” kishte treguar se dëshira e saj më e madhe është të udhëtojë më shumë me familjen.
Gadot, që është nënë e katër vajzave, Alma, Maya, Daniella dhe Ori , me bashkëshortin e saj Jaron Varsano, ka thënë se në botën e saj dëshiron që të gjithë të jenë të shëndetshëm.
“Në botën time të vogël, dua që gjithçka të vazhdojë siç është tani dhe që të gjithë të jemi të shëndetshëm, e tjerat do të vijnë vetë. Ndoshta të udhëtoj më shumë. Dua të udhëtoj, por jo për punë, por për të marrë familjen dhe për të eksploruar botën. Nuk kërkoj shumë, vetëm shëndet për të gjithë ne”, ka thënë ajo.
Ylli së fundmi ka luajtur krah aktores Rachel Zegler në filmin “Snow White”, dhe ka thënë se ishte një përvojë e veçantë për familjen e saj.
“Ishte premiera e parë ku arrita t’i marr vajzat me vete. Ato e adhuruan filmin”, ka thënë aktorja.