Një premierë glamuroze u organizua në Londër me qëllim të promovimit të filmit të ti të bazuar në universin kinematik “Marvel”, “Ant-Man and the Wasp: Quantumania”.
Aktorët dhe ekipi i filmit parakaluan mbi qilim të kuq, me ç’rast pozuan për fotografët dhe biseduan me gazetarët e pranishëm në këtë ngjarje.
Në mesin e tyre ishte edhe aktorja kanadeze, Evangeline Lilly, e cila në film e portretizon heroinën Wasp.
“Ky është një projekt i madh, epik dhe shumë emocionues. Ai do ta fillojë një epokë të re në universin ‘Marvel’, por është gjithashtu qesharak, i çuditshëm, unik dhe i ëmbël, siç janë tradicionalisht filmat ‘Ant-Man’. Kështu që ju do të merrni më të mirën nga të dy botët”.
Të njëjtin mëndin pozitiv për projektin e ndanë edhe protagonisti i filmit, Paul Rudd, i cili thotë se efektet vizuale në film janë të mahnitshme për t’u parë.
“Mendoj se publiku do të mahnitet dhe do të rrëmbehet plotësisht nga sfera kuantike në film. Duket vërtetë mahnitëse. Duket si një botë krejt ndryshe të cilën nuk e kemi parë më herët. Dhe rreziqet e kërcënimet në këtë vazhdim janë edhe më të mëdha sepse ia prezantojmë shikuesve personazhin e ri antihero, Kang the Conqueror, që është një person me të cilin nuk është mirë të ngatërrohesh”.
Jonathan Majors, i cili është antiheroi i ri i Marvelit, Kang the Conqueror, thotë se ky film duhet përjetuar nga ekrani i madh i kinemasë.
“Mendoj se këtë film duhet shikuar në kinema sepse i përket një niveli tjetër. Ne e kemi realizuar një film të mbushur me emocione të mëdha, me skena të shumta aksioni, me personazhe interesante të superheronjve dhe antiheronjve. Gjithçka gjendet brenda këtij projekti, prandaj më besoni kur ju them se duhet që patjetër ta shikoni atë në kinema”.
Vazhdimi i tretë në serinë e filmave “Ant-Man” e sjell një betejë epike midis Scott Langut dhe Kang Pushtuesit, pasi superheroi Ant-Man dhe familja e tij e hapin aksidentalisht një portal në Mbretërinë Kuantike. Por, kësaj radhe ata përballen me një armik të rrezikshëm që shquhet si një prej personazheve më të egër dhe më maniakë të universit kinematik “Marvel”.
Filmi i rikthen në ekran edhe aktorët, Michael Douglas dhe Michelle Pfeiffer.
“Ti i harron premierat e filmit sepse ka kaluar kohë e gjatë që kur e kam ndjekur një premierë kaq glamuroze, dhe Londra di të organizojë ngjarje të këtilla. Prandaj, është kënaqësi ta kem bashkëshorten këtu me mua. Çfarë mund të kërkojë më shumë se kaq?”, deklaroi Douglas.
“Ant-Man and the Wasp: Quantumania” ka filluar së shfaquri nëpër kinematë botërore nga 17 shkurti.