Nga projektet e reja të regjisorëve yje si, Martin Scorsese, Wes Anderson dhe Nia DaCosta, e deri tek vazhdimet e shumëpritura të filmave ikonik si, “John Wick”, “Aquaman” dhe “Mission: Impossible”, adhuruesit kanë shumë për të pritur në vitin 2023.
Në vazhdim ju prezantojmë disa prej filmave më të shumëpritur nga publiku mbarëbotëror:
“Ant-Man and the Wasp: Quantumania” titullohet vazhdimi i radhës i filmit me superheronjtë, Ant-Man dhe Wasp, të cilët portretizohen nga aktorët e njohur të Hollywoodit, Paul Rudd dhe Evangeline Lily. Në këtë vazhdim të ri, ata e eksplorojnë Mbretërinë Kuantike dhe detyrohen ta luftojnë një personazh të ri të lig, Kang the Conqueror, i cili në film portretizohet nga aktori Jonathan Majors. “Ant-Man and the Wasp: Quantumania” lansohet për publikun e gjerë më 17 shkurt 2023.
Aktori i njohur hollywoodian, Michael B. Jordan, e shënon debutimin regjisorial me vazhdimin e tretë të serisë së filmave “Creed”. Përveç si regjisor ai po ashtu vjen në rolin e protagonistit, Adonis Creed, një boksier i suksesshëm me një vizion të përsosur të jetës familjare. Në këtë vazhdim, ish-boksieri Damian, i personifikuar nga Jonathan Majors, rikthehet pas vuajtjes së një dënimi me burg dhe dy ish-shokët ballafaqohen me një ndeshje të tensionuar. Krahas Michael B. Jordanit në këtë projekt luajnë edhe aktorët, Tessa Thompson, Jonathan Majors, Wood Harris dhe të tjerë. “Creed III” fillon së shfaquri nëpër kinematë e Amerikës më 3 mars të vitit të ardhshëm.
Aktori 39-vjeçar Zachary Levi pritet ta përsërisë rolin protagonist të superheroit, Shazam, në filmin e ardhshëm të bazuar në librat komik “DC”, “Shazam: Fury of the Gods”. Në këtë vazhdim, Shazam përballet me një kundërshtare të re të quajtur Hespera, e cila në film vjen e portretizuar nga ylli britanik, Helen Mirren. “Shazam: Fury of the Gods” lansohet për publikun mbarëbotëror më 17 mars.
“John Wick: Chapter 4”, që është vazhdimi i katërt në serinë e filmave të njohur aksion, vjen me regji të Chad Stahelskit dhe bazohet në personazhet e krijuara nga Derek Kolsad. Në rolin protagonist edhe një herë rikthehet ylli i Hollywoodit, Keanu Reeves, derisa xhirimet e këtij vazhdimi kanë zënë vend në qytete të ndryshme si, Berlini, Parisi, Osaka dhe New York City. Filmi i ardhshëm fokusohet në personazhin John Wick, i cili e gjen një mënyrë për ta mposhtur organizatën “High Table”, e cila përbëhet nga disa prej vrasësve profesional më të rrezikshëm në botë. Por përpara se ta fitojë lirinë e tij, Wick duhet të përballet me një armik të ri me aleanca të fuqishme anembanë globit, dhe forca që i kthejnë miqtë e vjetër në armiq. “John Wick: Chapter 4” vjen nëpër kinema nga 24 marsi.
Personazhi i njohur i lojërave për fëmijë, Mario, mëson se të qenit hero është detyrë mjaft e vështirë në filmin e ri të titulluar, “Super Mario Bros. Movie”. Projekti i animuar në të cilin Mario e fillon një aventurë për ta mbrojtur Mbretërinë e Kërpudhave nga kundërshtari i ligë, Bowser, i sjell në ekran të madh disa prej personazheve më të dashura të publikut mbarë botëror, përfshirë këtu Donkey Kong, Princess Peach dhe Luigi. Zërat për këto personazhi i kanë huazuar disa prej aktorëve më të njohur të Hollywoodit si, Chris Pratt, Jack Black, Seth Rogan, Anya Taylor-Joy dhe Charlie Day. “Super Mario Bros. Movie” lansohet për publikun më 7 prill 2023.
Pas një pritjeje shumë të gjatë, kapitulli i trilogjisë “Guardians of the Galaxy” pothuajse ka përfunduar. Projekti i ardhshëm shumë i dashur nga publiku vjen i realizuar nga studioja “Marvel”, dhe me regji e skenar të James Gunnit, kurse në rolet kryesore kthehen aktorët: Chris Pratt, Zoe Saldaña, Dave Bautista, Karen Gillan, Pom Klementieff, Vin Diesel, Bradley Cooper, Will Poulter, Elizabeth Debicki, Sylvester Stallone, Sean Gunn dhe Maria Bakalova. “Guardians of the Galaxy Vol. 3” fillon së shfaquri nëpër kinematë e Shteteve të Bashkuara më 5 maj.
Vazhdimi i dhjetë i filmave “Fast and Furious” e sjell protagonistin Vin Diesel duke u ribashkuar me ekipin e tij, por kësaj radhe atyre u shtohet edhe një anëtare e re. Në filmin e ardhshëm aksion luajnë edhe aktorët tjerë të njohur si: Ludacris, Michelle Rodriguez, Nathalie Emmanuel, Jason Statham, Jason Momoa, Brie Larson, Charlize Theron dhe Cardi B. Me titull “Fast X”, vazhdimi i dhjetë i projektit të suksesshëm në arkat filmike lansohet më 19 maj.
Shameik Moore edhe një herë e huazon zërin për personazhin, Miles, në vazhdimin e dytë të filmit të vitit 2018, “Spider-Man: Into The Spider-Verse”, krahas aktorëve tjerë si: Hailee Steinfeld, Jake Johnson, Brian Tyree Henry, Oscar Isaac dhe Luna Lauren Velez. Filmi i ardhshëm i titulluar “Spider-Man: Across The Spider-Verse”, fokusohet në raportin mes Milesit dhe nënës së tij. Pas ribashkimit me Gwen Stacyn, Spider-Mani shumë i dashur nga një lagje e Bruklinit katapultohet nëpër Multiverse, ku ai ndeshet me një ekip të personazheve të quajtur Spider-People, të cilët mision e kanë mbrojtjen e ekzistencës së tij. Por kur heronjtë fillojnë të kenë kundërshtime me njëri-tjetrin rreth mënyrës se si duhet trajtuar një kërcënim të ri, Miles e gjen veten në një pozitë të vështirë ku i duhet ta përcaktojë se çfarë do të thotë të jesh hero, në mënyrë që t’i shpëtojë njerëzit që i do më shumë. Regjinë e këtij projekti e kanë bërë, Joaquim Dos Santos, Kemp Powers dhe Justin K. Thompson, kurse aktorët e rinj që i janë shtuar kastës së filmit janë, Issa Rae, Jason Schwartzman dhe Daniel Kaluuya. “Spider-Man: Across The Spider-Verse” lansohet më 2 qershor të vitit të ardhshëm.
Gjatë vitit 2023 do të lansohet edhe vazhdimi i shtatë në serinë e filmave “Transformers”. Ai vjen pas projektit të vitit 2017, “The Last Knight” dhe në rolet kryesore i sjell aktorët, Anthony Ramos dhe Dominique Fishback. Filmi përqendrohet te arkeologët e Bruklinit në vitet 1990, të cilët e zbulojnë një konflikt të lashtë. Me titull, “Transformers: Rise of the Beasts”, projekti i ardhshëm me robotët shumë të dashur nga publiku do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 9 qershori.
Aktori problematik, Ezra Miller, do ta drejtojë kastën e filmit të ardhshëm të bazuar në librat komik “DC”, ku edhe një herë e portretizon superheroin The Flash. Po ashtu në këtë projekt, yjet e hollywoodit, Ben Affleck dhe Michael Keaton, rikthehen si Batmani. Miller për herë të parë u paraqit në rolin e Barry Allenit, ndryshe i njohur si The Flash, në filmin e vitit 2016, “Batman v Superman: Dawn of Justice”. Ai po ashtu e ka bërë një paraqitje të shkurtër si superheroi i famshëm në filmat, “Suicide Squad” dhe “Justice League”. Filmi i ri “The Flash” lansohet nëpër kinema më 23 qershor.
“Indiana Jones and the Dial of Destiny” titullohet vazhdimi i pestë në serinë e filmave të famshëm aksion, ku rolin protagonist e luan aktori Harrison Ford. Filmat “Indiana Jones” fokusohen në mistere dhe aventura, por gjithashtu flasin për ndjenja dhe gjëra që i kemi për zemër. Në këtë vazhdim, kryepersonazhi Indiana Jones është i shqetësuar për faktin që qeveria e SHBA ka rekrutuar ish-nazistë për të ndihmuar në mposhtjen e Bashkimit Sovjetik në garën për të arritur në hapësirë. Kështu, ai e fillon një aventurë të re në të cilën shoqërohet nga kumbara e tij, Helena. Aktori veteran i Hollywoodit, Harrison Ford, e ka luajtur në rolin e arkeologut të famshëm, Henry Walton “Indiana” Jones, në katër filmat e suksesshëm të arkave filmike. Por këtë vit ai e konfirmoi lajmin se vazhdimi i pestë në serinë e filmave shumë të dashur nga publiku do të jetë i fundit për të. “Indiana Jones and the Dial of Destiny” lansohet nëpër kinema më 30 qershor 2023.
Ylli hollywoodian, Tom Cruise, edhe një herë i shfaq marifetet që sfidojnë vdekjen në vazhdimin e shtatë të filmit ikonik aksion. Në trailerin e filmit, “Mission Impossible: Dead Reckoning - Part One”, agjenti Ethan Hunt vjen i përfshirë në situata të shumta të rrezikshme që kryesisht e karakterizojnë jetën e tij, derisa publiku ka mundësi t’i shohë edhe personazhet tjera që janë pjesë e këtij projekti, përfshirë këtu rikthimin e personazhit Kittridge, i portretizuar në film nga aktori Henry Czerny, të cilin fansat nuk e kanë parë nga lansimi i filmit të parë në vitin 1996.
“Mission Impossible: Dead Reckoning - Part One” fillon së shfaquri për publikun më 14 korrik 2023.
Regjisori Antoine Fuqua dhe aktori Denzel Washington e vazhdojnë bashkëpunimin me filmin e ardhshëm, “Equalizer 3”. Ky projekt shumë i suksesshëm e rrëfen historinë e Robert McCall, një ish-ushtarë i marinës amerikane, i cili është shndërruar në një agjent në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes dhe tani i ndihmon njerëzit në nevojë duke përdorur njohuritë e tij të shumta dhe një sasi të madhe dhune për t’i luftuar të këqijtë. Vazhdimi tretë i filmit të mbushur me skena aksion e fillon shfaqjen nëpër kinema nga 1 shtatori.
Vazhdimi i dytë i filmit fantastiko-shkencor të regjisorit Denis Villeneuve, “Dune: Part Two”, do të vazhdojë aty ku mbaroi pjesa e parë, me Paul Atreides që kërkon të hakmerret për familjen e tij duke u bashkuar me klanin e luftëtarëve, Fremen. Krahas aktorit Chalamet, rolet në projektin e ardhshëm i përsërisin edhe yjet tjerë të hollywoodit si, Zendaya, Rebecca Ferguson, Josh Brolin, Javier Bardem dhe Stellan Skarsgard. Një numër personazhesh të rinj janë bërë pjesë e filmit gjithashtu, duke përfshirë Princeshën Irulan të portretizuar nga aktorja britanike, Florence Pugh, Christopher Walken vjen në rolin e babait të saj, Perandori Shaddam, Austin Butler e luan rolin e Feyd-Rauthas dhe aktorja franceze, Lea Seydoux, vjen në ekran të madh si Lady Margot. “Dune: Part Two” lansohet më 9 nëntor të vitit të ardhshëm.
Vazhdimi i ri i filmit shumë të dashur nga publiku, “Aquaman and the Lost Kingdom”, e rikthen aktorin Jason Momoa në rolin e superheroit të librave komik, “DC”. Krahas tij me role në film vijnë edhe yjet, Yahya Abdul-Mateen II sikur Black Manta dhe Nicole Kidman e cila vjen në rolin e Atlannas. Ende nuk janë zbuluar shumë hollësi rreth temës që ky projekt e trajton, por publiku do të mund ta shikojë atë nëpër kinema nga 25 dhjetori.