Ylli hollywoodian, Keanu Reeves, rikthehet në rolin e John Wickut për të katërtën herë, në vazhdimin e ri të filmit të famshëm aksion.
Wick, e gjen një mënyrë për ta mposhtur organizatën e “High Table”, e cila përbëhet nga disa prej vrasësve profesional më të rrezikshëm në botë. Por përpara se të fitojë lirinë e tij, duhet të përballet me një armik të ri me aleanca të fuqishme anembanë globit, dhe forca që i kthejnë miqtë e vjetër në armiq.
Në filmin e ardhshëm, Reeves përveç si protagonist, po ashtu vjen në rolin e producentit.
“Regjisori Chad Stahelski është shumë bashkëpunues, dhe në njëfarë mënyrë më lejon të improvizoj dhe kontribuoj me idetë e mia. Në fillim ai i organizoi disa skena dhe nga aty e kemi zhvilluar gjithë projektin së bashku”.
I pranishëm në premierë ishte edhe regjisori i filmit, Chad Stahelski, i cili para gazetarëve deklaroi: “Ekipi im zakonisht i realizon skenat me herën e parë. Por, fatkeqësisht unë jam pak më i komplikuar, sidomos kur realizojë skena me qenë, vetura apo armë. Prandaj, në disa raste na duhet ta xhirojmë një skenë disa herë për ta arritur rezultatin e dëshiruar. Mirëpo ekipi im gjithmonë bënë punë të mrekullueshme”.
Ky mund të mos jetë fundi i sagës së vrasësit të famshëm. I pyetur nëse do të realizojë më shumë filma “John Wick”, aktori Reeves u përgjigj: “Ta shohim. Në fakt gjithçka varet nga mënyra se si filmi pritet nga audienca. Ky është hapi i parë, prandaj shpresoj që do ta pëlqejnë atë”.
Xhirimet e këtij vazhdimi kanë zënë vend nga qershori deri në tetor të vitit 2021, në qytete të ndryshme si, Berlini, Parisi, Osaka dhe New York City. Krahas Keanus, rolet e tyre i përsërisin edhe aktorët, Laurence Fishburne, Ian McShane dhe Lance Reddick.
Filmi “John Wick: Chapter 4” do të lansohet nëpër kinema më 24 mars.