Pasuria e aktorit 61-vjeçar në Los Angeles u bë shënjestër e hajdutëve para dy vjetësh, por autoritetet amerikane, në bashkëpunim me zyrtarë në Kili, kanë arritur të gjejnë disa prej sendeve të vjedhura të yllit, përfshirë një orë Rolex të personalizuar që shfaqet në filmat John Wick, dhe t’ia kthejnë atij.
Keanu, i cili në serinë John Wick luan një vrasës me pagesë që del nga pensionimi pasi bëhet vetë objektiv i grabitësve falënderoi FBI-në me një letër të shkruar me dorë.
“Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim po e shkruaj këtë letër. Faleminderit shumë për të gjithë përpjekjet tuaja, përkushtimin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Me përshëndetjet e mia më të ngrohta, Keanu”, kishte shkruar ai në letër.
Akil Davis, ndihmës-drejtor në krye të Zyrës së FBI-së në Los Angeles, tha në një deklaratë se: “Ky rast është shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar që gëzojmë me partnerët tanë kilianë dhe me partnerët lokalë në Departamentin e Policisë së Los Angelesit. Edhe pse grabitja konsiderohet krim lokal në Shtetet e Bashkuara, FBI-ja bashkëpunon ngushtë me LAPD-në dhe të tjerët për të shkëmbyer informacion përmes Task Forcës së vjedhjeve të mëdha dhe kanaleve të tjera. Këto krime prekin si figurat publike, ashtu edhe njerëzit e zakonshëm, dhe FBI mbetet e përkushtuar të ndihmojë partnerët tanë lokalë në luftimin e këtij fenomeni që prek viktima të pafajshme.”
“Ky rast tregon se si krimi sot nuk njeh kufij dhe sa jetike janë partneritetet tona ndërkombëtare për t’u sjellë drejtësi viktimave në Los Angeles. Rikuperimi i këtyre sendeve të vjedhura falë bashkëpunimit të jashtëzakonshëm mes Policisë së Kilit, FBI-së dhe detektivëve tanë – dërgon një mesazh të fortë se grupet e organizuara të vjedhjes do të ndiqen kudo që të operojnë.
Jam krenar për punën që ekipi ynë ka bërë bashkë me partnerët federalë dhe ndërkombëtarë për t’i mbajtur këto rrjete kriminale përgjegjëse” , ka thënë shefi i LAPD-së, Jim McDonnell.
Sende të vjedhura nga shtëpia e aktorit u gjetën në korrik dhe që atëherë i janë kthyer. Mes tyre ishin gjashtë orë dore me vlerë të përbashkët rreth 125 mijë dollarë.