Aktorja e njohur Evangeline Lilly ka zbuluar se ka pësuar dëmtime në tru, nga lëndimi i rëndë që mori disa muaj më parë pasi ishte rrëzuar aksidental.
46-vjeçarja, e njohur për rolet e saj në serialin “Lost”, filmat “The Hobbit” dhe universin “Marvel”, ka treguar përmes një videoje në Instagram se një skanim që ka bërë së fundmi në tru, ka treguar se “pothuajse çdo zonë e trurit tim funksionon me kapacitet të ulët”, ka raportuar The Guardian.
“Pra, po, kam dëmtime në tru nga trauma në kokë dhe ndoshta edhe faktorë të tjerë. Tani detyra ime është të gjej shkakun e saktë me mjekët dhe ta nisi punën e vështirë për ta përmirësuar gjendjen. Nuk e pres me kënaqësi këtë proces, sepse kam ndjesinë se e gjithë jeta ime është punë e vështirë”, ka thënë ajo.
Aksidenti ka ndodhur në muajin maj, kur Lilly ka humbur ndjenjat në një plazh dhe ka rënë me fytyrë mbi një shkëmb, duke pësuar traumë serioze në kokë. Që nga ajo kohë, ajo ka ndarë rregullisht përditësime për gjendjen e saj shëndetësore.
“Mënyra se si ka rënë aftësia ime mendore që nga momenti kur u përplasa keq, më ka ndihmuar ta ngadalësoj ritmin e jetës dhe ta mbyll vitin 2025 më qetë”, ka shtuar ajo.
Në përshkrimin e videos, Lilly ka shkruar se e sheh “ngushëlluese ta dijë që rënia e përqendrimit dhe kujtesës nuk lidhet vetëm me periudhën e perimenopauzës”, por njëkohësisht e shqetëson fakti se “do të jetë një betejë e vështirë për t'i përmirësuar këto mungesa”.
Mbështetje publike i erdhi edhe nga kolegia e saj në Marvel, Michelle Pfeiffer, e cila i ka shkruar se është luftëtare.
“Ti je një luftëtare. Asgjë, as kjo, nuk do të të mposhtë, mikja ime”, ka shkruar Pfeiffer.
Menjëherë pas aksidentit, Lilly kishte publikuar foto të fytyrës së përgjakur dhe e kishte përshkruar ngjarjen në Substack.
“E nxjerr fytyrën nga rëra dhe marr frymë. Goja dhe hunda më janë mbushur me gjak. Partneri im thotë se kur humbas ndjenjat, dukem sikur vdes. Ai tmerrohet. Sytë më rrotullohen dhe çdo shenjë jete largohet nga trupi im”, ka thënë ajo.
Aktorja ka shpjeguar se që kur ishte fëmijë i ka rënë shpesh të fikët, gjë që mjekët fillimisht e kishin lidhur me sheqerin e ulët në gjak, por kjo u përjashtua më vonë.
“Kam tendencë të besoj se kjo ‘shkëputje’ ndodh kur shpirti im i vogël arrin kufirin e asaj që mund të përballojë dhe thjesht ‘del nga ndërtesa’”, ka shkruar ajo.
Lilly ka qenë në pushim nga aktrimi që disa muaj. Roli i saj i fundit ishte ai i Hope van Dyne, ose Wasp, në filmin “Ant-Man and the Wasp: Quantumania” të vitit 2023.
Në një deklaratë për Variety në muajin qershor, ajo ka thënë se “nuk po kërkon aktivisht punë në industri” dhe se aktualisht po i kushton kohën “punës humanitare dhe shkrimit”.