Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ed Sheeran triumfon në gjykatë dhe promovon dokumentarin e ri

Artisti i famshëm britanik, Ed Sheeran, parakaloi mbi qilimin e kuq të shtruar me rastin e premierës së dokumentarit të ri për jetën e tij, “The Sum of It All”, në New York.

Para gazetarëve të pranishëm, Sheeran tregoi se ishte kontaktuar nga regjisorët, të cilët e kishin intriguar me idenë e tyre këtë projekt.

“Thjeshtë kisha shumë pamje të pa publikuara. Vite më parë e kisha realizuar një dokumentar rreth realizimit të albumit ‘Divide’, dhe në atë projekt më shumë u fokusuam në aspektin e shkrimit të teksteve. Më pas më kontaktuan nga kompania e produksionit ‘Fulwell’ dhe më thanë se duan ta realizojnë një dokumentarë për mua, por i cili nuk ka fare të bëjë me muzikën por fokusohet më shumë në mua si njeri. Në atë moment vendosa t’ua dorëzoj pamjet që i kisha mbledhur tashme dhe u thash që të vendosin çfarë të bëjnë me to. Më pas filluan të më përcjellin ngado dhe kështu u finalizua një dokumentar për të cilin mendoj se e kanë realizuar shumë bukur. Nganjëherë nuk ndihem rehat kur e shikoj veten në ekran, por mendoj se njerëzit do të lidhen me të”.

Ndër të tjera, muzikanti deklaroi se ishte sfiduese për të ta përfshinte gjithë familjen në këtë dokumentar, duke qenë se ata kryesisht preferojnë të qëndrojnë larg vëmendjes së mediave dhe publikut.

“Thjeshtë dua që njerëzit të lidhen me muzikën time në të njëjtën mënyrë se si lidhen me mua si person. Mendoj se ky projekt prek çështje me të cilat përballen të gjithë në jetën e tyre personale. Pra nuk jam vetëm unë duke aktruar si i famshëm dhe duke folur për problemet e fytyrave publike. Mendoj se çdo njeri e përjeton pikëllimin e humbjes së personave të dashur, të gjithë përballen me probleme mendore dhe të gjithë kanë familjarë që po e lufton ndonjë sëmundje serioze”.

Edhe Ed Sheeran thotë se do të heqë dorë nga muzika nëse shpallet fajtor Showbiz Ed Sheeran thotë se do të heqë dorë nga muzika nëse shpallet fajtor

Dokumentari “The Sum of It All” ka filluar së transmetuari në platformën Disney+ nga 3 maji.

Këngëtari i kaloi disa javë në New York për ta ndjekur seancën gjyqësore për plagjiaturë lidhur me këngën e tij, “Thinking Out Loud”. Më 2016, Sheeran u padit nga tekstshkruesi Ed Townsend, i cili e akuzoi se ia kopjoi këngën e realizuar në vitin 1973, e cila u interpretua nga Marvin Gaye.

Fatmirësisht këngëtari britanik triumfoi duke e fituar gjyqin për shkeljen e të drejtave të autorit. Nga fillimi ai i kishte mohuar pretendimet e Townsendit, madje në një deklaratë para shpalljes së vendimit të gjykatës, Sheeran deklaroi se do të heqë dorë nga muzika nëse shpallet fajtor.

“Nëse kjo ndodh, e përfundoj karrierën muzikore, ndaloj këtu”, tha ai.

Megjithatë, juria arriti në përfundimin se hiti i yllit britanik, “Thinking Out Loud”, nuk kopjoi përbërësit kryesorë të këngës klasike, “Let’s Get It On”. Vendimi erdhi pas një gjykimi dy javorë.

Pas largimit nga gjykata e New Yorkut, këngëtari para gazetarëve tha se pretendimi për të drejtën e autorit ishte një kërcënim për të gjithë muzikantët që i shkruajnë këngët e tyre.

“Është shkatërruese të akuzohesh për vjedhjen e këngës së dikujt tjetër kur ne kemi bërë kaq shumë punë për të arritur deri këtu. Unë jam thjesht një djalë me një kitarë që pëlqen të shkruaj muzikë për njerëzit, në mënyrë që edhe ata të kënaqen. Unë nuk jam dhe nuk do ta lejojë kurrë vetën të zhvatem nga njerëzit, vetëm pse kam arritur të bëhem i suksesshëm. Duke qenë i detyruar të jem i pranishëm në New Yok për këtë gjykim, kam qëndruar larg familjes e cila po më mungon shumë dhe po ashtu kam munguar në varrimin e gjyshes sime në Irlandë, kohë kjo të cilën nuk do të mund të kthejë kurrë. Prandaj, dua ta falënderojë jurinë që e mori një vendim, i cili do të ndihmojë në mbrojtjen e procesit kreativ të tekstshkruesve këtu në Amerikë dhe anembanë botës. Po ashtu dua ta falënderojë ekipin tim. Të gjithë këta njerëz që më kanë mbështetur gjatë këtij procesi mjaft të vështirë. Po ashtu u jam mirënjohës të gjithë tekstshkruesve, muzikantëve dhe fansave që më kanë kontaktuar dhe më kanë dërguar mesazhe përkrahëse gjatë këtyre javëve të fundit. Kemi nevojë për të gjithë tekstshkruesit, kompozitorët dhe komunitetin e gjerë të muzikës, që të bashkohen dhe ta rikthejnë mirëkuptimin mes vete. Këto pretendime dhe padi ligjore të pabaza duhet të ndalen në mënyrë që procesi krijues të mund të vazhdojë dhe të gjithë të mund t’i rikthehemi qëllimit tonë kryesor, që është bërja e muzikës së mirë dhe kualitative. Në të njëjtën kohë, ne absolutisht kemi nevojë për individë të besuar dhe ekspertë të vërtetë që ndihmojnë në mbështetjen e procesit të mbrojtjes së të drejtave të autorit. Faleminderit”.

Edhe Ed Sheeran e shpërfaq dhimbjen dhe pikëllimin në këngën e re “Eyes Closed” Showbiz Ed Sheeran e shpërfaq dhimbjen dhe pikëllimin në këngën e re “Eyes Closed”

Në lajme të tjera, të premten më 5 maj u publikua edhe albumi i ri i këngëtarit me titull “Subtract”.

I përcjellë nga dy këngë ta lansuara më herët, “Eyes Closed” dhe “Boat”, albumi e finalizon një kapitull të madh në diskografinë e Sheeranit. Para publikimit, pop këngëtari britanik zbuloi se tekstet e këngëve të përfshira në album janë tejet personale dhe vijnë si rezultat i një tragjedie në jetën e tij, duke ju referuar faktit se gruaja e tij, Cherry Seaborn, ishte diagnostikuar me tumor në tru gjatë kohës sa ishte shtatzënë me fëmijën e dytë të çiftit, dhe shoku i ngushtë i këngëtarit, Jamal Edwards, vdiq papritur në moshën 31-vjeçare.