Kantautori i njohur britanik, Ed Sheeran, e proceson dashurinë dhe humbjen përmes videoprojektit të fundit muzikor, “Eyes Closed”, që është kënga e parë nga albumi i tij i ardhshëm, “Subtract”.
Kënga u publikua në mëngjesin e së premtes. Fillimisht Sheeran e kishte konsideruar atë një këngë që flet për ndarjen, por pasi këngëtari e pësoi një humbje të madhe në jetë kur miku i tij i ngushtë, Jamal Edwards, vdiq papritur në moshën 31-vjeçare, ai i bëri disa ndryshime duke e shndërruar atë në një himn që i dedikohet pikëllimit dhe dhimbjes nga humbja e një personi të dashur.
Videoklipi vjen me regji të Mia Barnes dhe në të, Sheeran, shihet duke u përndjekur nga një figurë e kaltër që e përfaqëson dhimbjen dhe pikëllimin, gjithmonë i pranishëm në jetën e tij.
“Kjo këngë ka të bëjë me humbjen e një personi të dashur, dhe e përfaqëson ndjesinë që e ke çdo herë që del jashtë dhe pret ta takosh atë person, dhe gjithçka përreth ta kujton atë dhe gjërat që keni bërë së bashku. Nganjëherë është e domosdoshme të largohesh nga realiteti për ta mpirë dhimbjen e humbjes, por sërish disa gjëra thjesht ta rikujtojnë atë”, deklaroi Sheeran rreth këngës së re.
Albumi i ardhshëm i Ed Sheeranit publikohet më 5 maj nga studioja incizuese me të cilën këngëtari bashkëpunon, “Atlantic Records”.
Besohet se albumi do të jetë një koleksion i këngëve që burojnë nga zemërthyerja dhe pikëllimi, të shkruara gjatë një periudhe të vështirë në jetën e këngëtarit, pas diagnostikimit të gruas së tij, Cherry Seaborn, me tumor dhe humbjes së mikut të ngushtë, Jamal Edwards.