Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Olivia Dean akuzohet se ka kopjuar këngën “Just the Two of Us” të Bill Withers

Olivia Dean

Olivia Dean

Foto: Associated Press

Ylli britanik i muzikës pop, Olivia Dean, është akuzuar se ka kopjuar melodinë e këngës së famshme të Bill Withers, “Just The Two of Us”. Çështja është duke u trajtuar në një gjykatë në Kaliforni. 

Padia lidhet me këngën e Dean, “I've Seen It”, e cila është pjesë e albumit të saj “The Art of Loving”, fitues i “Brit Awards” në vitin 2025, ka raportuar BBC.

“Just The Two of Us” ishte një hit i Withers në vitin 1981. Botuesit që administrojnë katalogun muzikor të këngëtarit të ndjerë pretendojnë se dy këngët “kanë elemente muzikore të përbashkëta” aq të ngjashme, saqë nuk mund të jenë krijuar rastësisht.

Në padi përfshihen si të paditur labeli muzikor i Dean, “Capitol Records”, kompania mëmë “Universal Music Group”, si dhe kompanitë që menaxhojnë të drejtat e botimit të muzikës së saj. Padia nuk kërkon dëmshpërblim nga vetë këngëtarja apo nga bashkëautorët e saj, Bastian Langebaek dhe Max Wolfgang.

Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga BBC, “Mattie Music Group”, kompania që administron katalogun e këngëve të Withers, angazhoi një muzikolog për të analizuar dy këngët.

Sipas dokumenteve, eksperti arriti në përfundimin se “veprat kanë ngjashmëri të konsiderueshme”, duke përfshirë “kopjimin e përsëritur” të melodisë së “Just The Two of Us”.

Botuesit pretendojnë se në gusht e njoftuan kompaninë diskografike të Dean për shkeljen e mundshme të të drejtave të autorit, por kënga nuk u hoq nga platformat e shpërndarjes.

Për të provuar plagjiaturën, “Mattie Music Group” duhet të dëshmojë se Dean dhe bashkëautorët e saj e kishin dëgjuar më parë këngën origjinale të Withers. Në padi pretendohet se suksesi “i jashtëzakonshëm dhe i vazhdueshëm” i këngës, përfshirë “dekada transmetimesh në radio”, u ka dhënë muzikantëve “mundësi të arsyeshme” për ta dëgjuar “Just The Two of Us” përpara se të shkruanin “I've Seen It”.

Të paditurit ende nuk i janë përgjigjur padisë. BBC ka kontaktuar me ta, si dhe me përfaqësuesit e Dean, për të marrë një koment.

“I've Seen It” është kënga përmbyllëse e albumit që e bëri Dean të njohur, i publikuar në shtator të vitit 2025.

Kjo baladë flet për llojet e ndryshme të dashurisë që ajo ka përjetuar gjatë jetës së saj – nga dashuritë e para në shkollë të mesme deri te dashuria për familjen dhe miqtë.

Në një intervistë për W Magazine vitin e kaluar, ajo pati thënë se kënga u shkrua pasi “kishte pirë shumë verë të kuqe”.

“Kur e dëgjova për herë të parë, shpërtheva në lot. M’u duk mënyra më e bukur për ta përmbyllur albumin. Qoftë dashuria mes miqve, brenda familjes apo thjesht dashuria që ekziston mes njerëzve të panjohur, ajo është aty dhe është edhe brenda teje”, pati theksuar Dean.

“I've Seen It” është dëgjuar rreth 246 milionë herë në Spotify, ndërsa “Just The Two of Us” ka arritur rreth 948 milionë dëgjime. Kënga e Withers arriti në vendin e dytë në klasifikimet muzikore amerikane në vitin 1981 dhe i siguroi atij një çmim “Grammy” për këngën më të mirë R&B. Withers ndërroi jetë në vitin 2020.

Dean fitoi çmimin Artistja e Re më e Mirë në ceremoninë e sivjetme “Grammy”. Albumi “The Art of Loving” arriti në vendin e tretë në SHBA dhe në vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa u shpall Albumi i Vitit në “Brit Awards”.