Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, ka bërë interviste 60-minutëshe me gazetën e njohur Cosmopolitan, ku ka shpjeguar se pse distancohet nga disa muzikantë që shpërfaqin jetën personale përmes teksteve muzikore.
“Disa njerëz janë thjesht të paskrupullt me vetë jetën e tyre private dhe nuk e mbajnë për vete. Është diçka nga e cila distancohem natyrshëm. Ka muzikantë që duan ta shpërfaqin jetën personale përmes teksteve muzikore, sepse e dinë që do t’ua tërheqë vëmendjen njerëzve”, ka thënë Dua pa përmendur emra.
Ajo ka shtuar se nuk dëshiron që të behet pjesë e një grupi këngëtaresh që luftojnë për klikime.
“Për mua, gjithnjë ka qenë e rëndësishme të bëj muzikë të cilën e duan njerëzit, jo sepse dua ta vë dikë në pah apo të bëj klikime në kurriz të dikujt tjetër”, ka thënë këngëtarja.
Muzikantja, ka folur edhe rreth stigmës që e ka kapluar muzikën pop, duke thënë se njerëzit i gjykojnë muzikantët që nuk luajnë instrumente në skenë gjatë performimit.
“Si artiste gjithnjë të bie të ndeshesh me njerëz që të mund të thonë ‘oh, ajo s’mund të këndojë’ nëse nuk të shohin në skenë më ndonjë kitarë apo piano. Gjithnjë ka fjalë të tilla që stigmatizojnë muzikën pop”, ka thënë Lipa.
Ylli së fundmi ka bërë të ditur se do të jetë ne turne botëror përgjatë vitit 2025, biletat për të cilin do të dalin në shitje më 20 shtator.
“Jam duke rregullua orarin ndërkohë që po bëj prova, notat fillestare muzikore janë shumë të shpejta. Prandaj me duhet që të ushtrojë dhe të sigurohem që të mos i ngadalësojë këngët e të humbas orarin”, ka thënë ndër të tjera ajo.