Ylli jashtëzakonisht ambicioz i popit, Dua Lipa po përqafon lirinë dhe argëtimin - si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale me albumin e saj të ardhshëm. Tek nis një epokë të re në karrierë, ajo po i mundëson publikut të mësojë më shumë për ëndrrat e saj, ankthet dhe atë që dëshiron ta përfaqësojë
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, e cila e ka pushtuar botën e muzikës pop, është gati për ta filluar një kapitull krejtësisht të ri në karrierën e saj. Albumi i saj i tretë dhe i shumëpritur nga fansat do të publikohet në fund të këtij viti, dhe do ta sjellë një periudhë ndryshimesh të mëdha në jetën e saj, duke përfshirë fundin e një lidhjeje romantike dhe përpjekjet e këngëtares për të krijuar marrëdhënie të reja. Ajo gjithashtu e shkëputi bashkëpunimin me kompaninë menaxhuese që e përfaqësoi për një dekadë, si dhe i bleu të drejtat e muzikës e saj.
Përtej kësaj ajo ka vazhduar me angazhime në projekte të ndryshme, duke përfshirë këtu krijimin e ‘podcastit’ të suksesshëm “Service95”, rolet në disa filma dhe krijimin e një kompanie prodhuese. Të gjitha këto janë indikatorë i saktë i asaj se çfarë dëshiron të bëjë në të ardhmen.
“Jam duke mësuar më shumë për qëndrueshmërinë. Po mësoj se është në rregull të mos jem e fortë gjatë gjithë kohës. Në fakt, po mësoj shumë për veten time”, deklaron Lipa.
Por, këngëtarja tashmë është treguar më e fuqishme se që mund ta ketë kuptuar. Kjo kuptohet përmes historisë së saj të prejardhjes. Në moshën 15-vjeçare, ajo bindi familjen që ta linin të largohej nga Kosova dhe krejtësisht e vetme u kthye në Londër. Atje mbaroi shkollën, filloi të punonte nëpër lokale dhe si modele, ndërsa në të njëjtën kohë kërkonte ekip dhe studio incizuese që do ta ndihmonin ta fillojë karrierën muzikore. Para se të mbushte 20 vjeç, ajo nënshkroi kontratë bashkëpunimi me një kompani.
Në vitin 2017, Lipa e lansoi albumin debutues të vetëtitulluar. Vazhdoi të incizojë këngë në studio, të performojë nëpër festivale të ndryshme, si dhe interpretonte si mysafire në turnetë e artistëve të tillë, si Troye Sivan, Bruno Mars dhe grupi “Coldplay”. Puna dhe angazhimi i madh i këngëtares u shpërblye me suksesin e hitit, “New Rules” dhe fitimin e çmimit “Artistja më e mirë e re”, në ceremoninë më të rëndësishme të muzikës në botë “Grammy”. Në vitin 2020, albumi i saj i dytë “Future Nostalgia’ u bë himni i pandemisë dhe i pushtoi toplistat muzikore anembanë botës. Kështu ajo u shndërrua në pop-artisten më të dëgjuar dhe më të pëlqyer të dekadës së fundit.
Me albumin e dytë, Dua e shfaqi anën rebele të saj. Këngët e tij u bënë kolona zanore për jetën e miliona njerëzve gjatë izolimit si pasojë e pandemisë, njëkohësisht duke e krijuar një trend të ri të muzikës disko për gjeneratat e ardhshme. Me zërin e saj të ngrohtë dhe plot shpirt, të kombinuar me vetëbesimin e pamohueshëm, Lipa u bë diva e muzikës pop.
Lipa është e gjithanshme, por shumë kritikë mendojnë se publiku e ka parë vetëm një pjesë të vogël të kapacitetit të saj. Këngëtarja rrëshqiti aq lehtë midis zhanreve të muzikës, saqë në fillimet e karrierës nuk mund të identifikoheshin plotësisht stili dhe personaliteti i saj i vërtetë. Momente nga jeta e Duas, larg vëmendjes së mediave dhe publikut, viheshin në pah në mënyrën më të mirë të mundshme përmes Instagramit, e vetmja platformë sociale të cilën ajo e drejton vetë. Për të muzika është një punë - dhe jeta personale mbetet pikërisht e tillë, private dhe personale.
“Më pëlqen thjesht ta jetoj jetën, të realizoj fotografi të cilat më pas i postoj në Instagram dhe të shkruaj muzikë. Nuk jam e interesuar të bëhem kontroverse apo të bëj gjëra vetëm për të zgjuar reagime në publik”, shpjegon tutje këngëtarja.
Aktualisht, Dua është duke punuar shumë. Adhuruesit e saj mezi e presin lansimin e albumit të tretë. Megjithëse nuk është e gatshme për ta zbuluar titullin e tij, ajo tregon se muzika e re është një lloj homazhi për kulturën e Mbretërisë së Bashkuar. Është frymëzuar shumë nga grupe të tilla, si “Primal Scream” dhe “Massive Attack”.
“Ky album është më i gjallë. Me të dua të kap thelbin e rinisë dhe lirisë, të argëtohem dhe thjesht t’i lë gjërat të ndodhin, qofshin ato të mira apo të këqija. Ne nuk kemi si t’i ndryshojmë ato. Thjesht duhet të adaptohesh me gjithçka që është duke të ndodhur në jetë”.
Punën rreth albumit të tretë të incizuar në studio, Lipa e filloi qysh në vitin 2021, para se të fillonte turneu i saj i suksesshëm botëror, “Future Nostalgia Tour”.
E natyrën e saj si person i përpiktë, Lipa thotë se e ka trashëguar nga prindërit, Anesa dhe Dukagjini.
“Prindërit e mi janë me të vërtetë njerëzit që i konsideroj shembull për gjithçka. Ndërsa isha fëmijë, ata kurrë nuk më bënë të ndihesha sikur diçka nuk ishte në rregull. Ata u përpoqën të më jepnin një fëmijëri sa më normale që mundeshin, ndërsa në të njëjtën kohë punonin aq shumë, dhe bënin punë të ndryshme nëpër bare, restorante dhe gjithçka tjetër”.
Pas përfundimit të luftës, kur Dua ishte vetëm 11-vjeçare, familja e saj u rikthye për të jetuar në Prishtinë. Këngëtarja ndihej sikur në parajsë, pasi më në fund mund të lëvizte më e lirë nëpër rrugët e qytetit, për të cilat thotë se ishin shumë më të sigurta se në Londër. Megjithëkëtë, shkolla ishte pak më sfiduese.
“Shkollimi ishte shumë më i avancuar se në Londër. Lëndët shkencore si kimia dhe matematika ishin veçanërisht të vështira. Fëmijët atje mësonin gjëra që unë mendoja se kisha ende kohë për t’i mësuar. Unë po bëja thyesa në Londër në kohën kur moshatarët e mi në Kosovë mësonin algjebër”, deklaroi Lipa, teksa kujtonte kohën si nxënëse në Kosovë.
Sipas këngëtares, përvojat e prindërve e kanë formësuar edhe botëkuptimin e saj.
“Ekzistenca ime është disi politike, fakti që kam jetuar në Londër, sepse prindërit e mi u larguan nga lufta. Ndiej shumë për njerëzit që duhet të largohen nga shtëpia e tyre. Nga përvoja ime e të jetuarit në Kosovë dhe të kuptuarit se çfarë bën lufta, askush më të vërtetë nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e tyre. Njerëzit e bëjnë këtë për mbrojtje, për ta shpëtuar familjen, për t’u kujdesur për njerëzit përreth tyre dhe për t’iu siguruar një jetë më të mirë”.
Viteve të fundit, Lipa e krijoi kompaninë e saj të prodhimit, botimit dhe menaxhimit, “Radical22”, përmes së cilës po i sjell në jetë projektet që i ka më për zemër. Këtu përfshihet edhe një dokumentar për lagjen e saj të dashur në Londër, Camden, të cilin po e prodhon bashkë me platformën digjitale Disney+. Po ashtu i ka nisur hapat e parë në fushën e aktrimit. Pas paraqitjes së shkurtër në hitin e arkave filmike, “Barbie”, shumë shpejt ajo vjen edhe me rolin debutues si aktore në filmin me spiunë të regjisorit Matthew Vaughn, “Argylle”.
Por ka edhe shumë gjëra të tjera të cilat Lipa dëshiron t’i realizojë. Ajo e sheh veten duke u zhvendosur nga Britania e Madhe, për të jetuar në vende të tilla, si Spanja, Franca apo Meksika. Tashmë ka filluar t’i mësojë gjuhët spanjolle dhe franceze dhe deri në moshën 35-vjeçare dëshiron t’i perfeksionojë këto dy gjuhë, bashkë me atë italiane.
“Dua t’i njoh të gjitha këto gjuhë. Bëhem shumë xheloze kur njerëzit flasin rrjedhshëm frëngjisht, spanjisht apo italisht. Duhet shumë kohë të kem mundësi t’iu kthej përgjigje. Mendoj se për faktin se e flas gjuhën shqipe, mund t’i mësoj edhe këto gjuhë me lehtësi”.
Në fund ajo ka edhe ca këshilla për artistët e rinj: “Jini të vëmendshëm sa më herët, veçanërisht për anën e biznesit. Nuk mendoj se njerëzit e japin këtë këshillë sa duhet për artistët e rinj. Në fillimet e karrierës gjithçka duket emocionuese, por është mirë të kesh njohuri për industrinë në përgjithësi dhe të kujdesesh mirë për veten”.
Vëmendje të madhe në publik merr edhe jeta private e Lipas. Në dhjetor të vitit 2021 ajo u nda nga modeli Anwar Hadid, me të cilin ishte në lidhje për dy vjet. Vitin e ardhshëm këngëtarja e kaloi si beqare.
“Jeta romantike është e ngatërruar. Si fytyrë publike, ti mund të takosh njerëz vetëm përmes shoqërisë apo personave tek të cilët ke besim. Dhe kjo i komplikon paksa gjërat”.
E vërteta është se Dua Lipa nuk flet shumë për lidhjet romantike. Njerëzit duhet t’i dëgjojnë me vëmendje këngët e saj për të mësuar më shumë për mendimet dhe jetën private të këngëtares.
Një gjë është e sigurt, albumi i ardhshëm muzikor i Lipas ka të bëjë me pjekurinë dhe shërimin shpirtëror.
Marrë nga “Rolling Stone”, përktheu Edona Binaku