Që nga viti 2015, kur Dua Lipa publikoi këngën “Be the one”, me të cilën nisi t’i ngjiste shkallët e famës, rrugëtimi i saj ka ecur vetëm nëpër trajektoren ngritëse. Kishte qenë vetëm dy vjet pas hitit të saj të parë, kur “New Rules”, e cila tani numëron hiç më pas se 2.9 miliardë klikime në “Youtube”, ajo që Lipës i siguroi famë globale, duke e bërë njëherësh edhe artisten më të re që arrin 1 miliard klikime. E këngëtares së njohur shqiptare, së fundmi, një artikull i ka kushtuar edhe revista prestigjioze “The New York Times”.
Nëpërmjet artikulli të titulluar: “Për Dua Lipën, nuk mjafton vetëm të jesh një yll i muzikës pop”, gazetari e kritiku Kurt Soller, ofron një pikëpamje tjetër të njërës prej yjeve më të mëdha të muzikës pop të ditëve të sotme. Por, muzika nuk është epiqendra e këtij teksti. Gazetari i “The New York Times Style Magazine” ka vendosur të tregojë më shumë për Lipën. Diçka përtej imazheve që zakonisht mund të shihen. Ka zgjedhur të zbërthejë karakterin e saj dhe këtë e ka bërë teksa ka përshkruar veshjen e saj, mimikat, mënyrën se si pohon diçka apo edhe fjalën që ajo përdor më së shpeshti. Megjithatë, një gjë merret vesh qartë: Dua Lipa nuk u ngjan moshatarëve të saj e as atyre që i afrohen me famë. Dua Lipa nuk i lë asgjë në dorë fatit. Ajo i ka marrë vetë frerët e së ardhmes.
“Dua Lipa është në përfundim të albumit të saj të tretë. Ai pritet të publikohet në vitin 2024 dhe, pavarësisht trendit të muzikantëve që shpallin dhe i vonojnë albumet me vite, Lipa pothuajse me siguri do të arrijë ta publikojë atë në kohë. Është qesharake të mendosh për një yll popi - apo ndonjë artist të ri të suksesshëm – duke ushtruar një tjetër profesion të mundshëm. Por, në moshën 27-vjeçare, Lipa tashmë është bërë një lloji i sipërmarrëses së shumëfishtë që jo vetëm i mbaron detyrat e saj në kohë, por diskuton strategjinë dhe efikasitetin me qartësinë e një themelueseje të kompanisë...”, nis shkrimin NYT.

Për ta dëshmuar fleksibilitetin dhe seriozitetin me të cilin punon e vepron Lipa, gazetari Soller përshkruan diçka edhe nga takimi i tij me të.
“‘Nëse nuk do të isha po kaq e organizuar sa jam, do të isha bërë rrëmujë’, më kishte thënë ajo një pasdite maji me shi kur u takuam në Londër. Këngëtarja i kishte kërkuar një prej restoranteve të saj të preferuar, ‘Sushi on Jones’, i fshehur në katin e dytë të një vendi koncertesh në ‘King's Cross’, që të hapej para darkës, në mënyrë që ne të kishim mjaftueshëm kohë, më pas mbërriti 10 minuta më herët, për t'u siguruar që gjithçka ishte si qe planifikuar”, ka treguar ai.
Tutje, NYT shpjegon për publikimin e albumit “Future nostalgjia” dhe faktin që si pasojë e pandemisë, Lipës iu ishte dashur t’i anulonte apo t’i shtynte për më vonë koncertet. Një gjë e tillës sipas NYT “e ka çimentuar pa dashje atë si yllin kryesor të popit të pandemisë” ndërsa më vonë, ai e bëri atë artisten e vetme femër e cila arriti t’i kishte dy albume që kishin arritur t’i tejkalonin 10 miliardë dëgjime në “Spotify”. E, sipas NYT, i një zhanri të tillë, pop, pritet të jetë edhe albumi i saj i ardhshëm në të cilin Lipa është duke punuar për momentin.
“Albumi i radhës do të jetë përsëri i zhanrit pop, thotë ajo, që të mos ‘ftohen fansat e saj’. Ajo nuk dëshiron t'i ‘tëhuajësojë’ ata, megjithëse po zhvillon një tingull të ri më larg ritmeve ‘house’ dhe atyre të diskove që i gjejmë te ‘Physical’ dhe ‘Halucinate’ e më afër stileve të viteve ‘70”, shkruan NYT.
E bashkëpunimi me emra të njohur të industrisë së muzikës nuk do të mungojë as kësaj here.
“Për shkrimin e këngëve ajo është duke punuar me një grup më të vogël bashkëpunëtorësh, përfshirë Kevin Parker të grupit australian të psiko-rokut ‘Tame Impala’, një thashetheme që ajo e konfirmon duke e mohuar: ‘Nuk e di për çfarë po flisni’, thotë ajo, pastaj shikon larg dhe qesh pak”, shkruan NYT.
Teksa shpjegon mendimet që Lipa ka për gazetarët, NYT shpërfaq diçka edhe nga karakteri dhe mënyra se si Lipa i qaset një bisede. Karakteri i saj duket se dallon nga bashkëmoshatarët e saj.
“Ajo mund të jetë e kujdesshme, pak e përmbajtur, e qetë, por jo domosdoshmërish e ftohtë, që mund të jetë mënyra se si ka qenë tërë jetës - ose rezultat i të qenit e famshme botërisht, gjatë një periudhe izolimi të thellë. Asaj i mungon impulsi, aq i zakonshëm në mesin e njerëzve të moshës së saj, për të bërë biseda të panevojshme ose për të krijuar miqësi vetëm që të duket e pëlqyeshme. Në vend të kësaj, ajo mbetet e përqendruar në temë, teksa disa herë nënkuptohet se ajo mendon që gazetarët zakonisht po përpiqen ta zënë në kurth ose të përhapin lajme përpara se ajo të jetë gati për t’i ndarë ato”, shkruan NYT teksa citon Lipën dhe tregon se cila është fjala që ajo përsërit më së shumti.
“‘Veçmas kur je në sy të publikut, dikush gjithmonë pret që t’i të pengohesh apo të dështosh apo çfarëdo qoftë’ më thotë ajo. Gjatë bisedës sonë, e cila ishte paraparë të zgjaste 90 minuta dhe e cila zgjat aq, ‘çfarëdo qoftë’ është një nga fjalët që ajo përdor më së shumti, në një mënyrë që e bën të tingëllojë e kujdesshme”, shkruhet në magazinë.
Teksa udhëheq lexuesin nëpër sfera të ndryshme të jetës së Lipës, NYT dalëngadalë nisë e shpupurisë përtej muzikës. Lexuesin e njofton për një Dua jashtë muzikës, megjithëse përherë të lidhur me të.
“Por ajo është veçanërisht e heshtur në lidhje me albumin e ardhshëm, sepse është ende në zhvillim – një proces ‘izolues dhe emocionues’, thotë ajo, edhe nëse ‘nuk e keni idenë se si do të pritet ai, kështu që mund të jetë stresues’ — por edhe sepse ka shumë gjëra të tjera që ajo është përgatitur për të diskutuar sot: jo për veten, jo për muzikën, por elementet e tjera që përbëjnë planin e pazakontë të Lipës diçka afatgjate, diçka për të cilën ajo po punon që kur ishte 5 vjeç, kur ajo i drejtonte shokët e klasës në rutinat e vallëzimit në oborrin e shkollës”, shkruan NYT.
Por, gazetari nuk lë pa përmendur prejardhjen shqiptare të Lipës duke treguar njëkohësisht një historik të shkurtër të migrimit të familjes së saj.
“Pasi turneu i saj i fundit përfundoi nëntorin e kaluar, Lipa mbërriti në Londër dhe filloi të fokusohej në disa projekte jomuzikore, si dhe të gatuante e të pushonte në shtëpinë që po e rinovonte në Londrën Veriore, pranë vendit ku u rrit nga një çift emigrantësh shqiptarë, Dukagjini dhe Anesa Lipa. Ata ishin larguar nga Kosova gjatë konflikteve në rajon, më vitin 1992. Më pas u kthyen përfundimisht në Prishtinë”, shkruan NYT teksa shton se “katër vjet më pas, ata e lanë vajzën e tyre të madhe (Dua, emri i cili në shqip do të thotë ‘dashuri’) të kthehej vetë në Angli kur ishte 15-vjeçare, ku për pak kohë nisi të modelonte e të merrej me muzikë: Dy vjet më vonë, pasi u shfaq në një reklamë të vitit 2013 për ‘The X Factor’, ajo nënshkroi marrëveshje me Ben Mawson, menaxherin e Lana Del Rey”.
E përveç muzikës, Lipa tashmë ka gati dy vjet prej kur ka hapur një platformë të titulluar “Servise95”, e ku publiku mund të kuptojë diçka edhe nga jeta e saj.
“Mes miqve të saj, të cilët i paraprijnë famës së saj dhe, siç thotë ajo, ‘më injorojnë teksa jam në kuzhinë’, është ajo që planifikon darka dhe udhëtime për ditëlindje. Shumë prej këtyre restoranteve dhe destinacioneve përfundojnë në ‘Service95’, platformën e artit dhe kulturës që ajo e lansoi në shkurt të vitit të kaluar, pasi donte një vend për të shkruar për furrat e bukës, libraritë dhe vendet e tjera për të cilat ajo kishte mbajtur shënime që kur ishte adoleshente”, shkruan NYT.
E megjithëse Lipa ka të ardhura të mjaftueshme sa për të punësuar dikë që t’ia menaxhoj apo udhëheq punët e saj, ajo shpesh vendos t’i bëjë vetë ato. Kalendari i saj është i mbushur me planifikime të shumta, të cilave ajo u qëndron përherë besnike.
“’Nuk dua t’jua tregoj telefonin tim, sepse më vjen turp për këtë, por me të vërtetë varet nga minuta se: ku po shkoj, çfarë po bëj’, më thotë Lipa dhe më pas hap kalendarin e saj, rrudh vetullat dhe kthen ekranin në drejtimin timin. ‘Zgjohu, grimohu, përgatitu për podcast’, thotë ajo teksa më tregon takimet e saj”, shkruan NYT teksa citon: “Më duhet ta shikoj ‘Succession’, kështu që duhet ta planifikoj atë”. E përveç këtyre, NYT bën të ditur se Lipës i duhet t’i planifikojë madje edhe dushet e saj.
“‘Për sa kohë që po argëtohem, do të vazhdoj të bëj muzikë. Por pse të mos bëj edhe gjëra të tjera që më pëlqejnë?’, thotë ajo për NYT.
Përveç talentit vokal dhe bukurisë së saj, Lipa ka edhe diçka tjetër me të cilën i tërheq investitorët. E kjo ka të bëjë me faktin që ajo nuk është tejet serioze dhe e përkushtuar në punën që bën.
“Ajo këndon himne tërheqëse, frymëzuese në bashkëpunim me disa nga mendjet dhe biznesmenët më të mëdhenj të botës. Të gjithë ata kanë zgjedhur të investojnë miliona dollarë në prodhimin dhe promovimin e këngëve të saj, jo vetëm sepse është e talentuar, e bukur dhe ka instinkte të mira zanore, por sepse ajo - ndryshe nga shumica e paraardhësve dhe bashkëmoshatarëve të saj - pa dyshim nuk është e ngathët”, shkruan NYT për këngëtaren njëzet e shtatë vjeçare.
Për seriozitetin e saj, dëshmon edhe njëri ndër bashkëpunëtorët e saj, producenti Mark Ronson.
“Unë ndoshta kam shpenzuar më shumë kohë duke pritur që artistët të shfaqen në studio sesa duke punuar me ta", ka thënë Mark Ronson, producenti 47-vjeçar i cili ka bërë dy këngë me Lipën, përfshirë ’Dance the Night’ të kësaj vere. ‘Nëse ajo është dy minuta me vonesë - pra nëse është ora 12:02, menjëherë do të ma nis një tekst: ‘Më falni, do të vonohem pesë minuta’. Kjo nuk është sjellje e zakonshme e të famshmëve apo jo? Ajo ende punon me mendësinë sikur nuk ia ka dalë ende”, citohet të ketë thënë Ronson.
Shton se “Lipa është veçanërisht e mirë në redaktim, në punë dhe ripërpunimin e lodhshëm të një kori apo melodie. Ajo ndihet rehat duke marrë vendime shpejt dhe duke kryer shumë detyra: ajo thotë se ndonjëherë, teksa është në skenë duke punuar koreografinë e saj, mendon gjithashtu se çfarë do të hajë më pas”.
E tërë kjo punë sipas gazetarit të NYT, nuk është diçka e panjohur në botën e yjeve të famshëm. Krijimi i diçkaje përtej muzikës, është garancë e jetëgjatësisë.
“Rihanna, e cila nuk ka sjellë ndonjë album që nga viti 2016, ka linjën shumëmiliardëshe, ‘Fenty Beauty’; Ariana Grande së shpejti do të luajë si Glinda në filmin ‘Wicked’ të Universal. Lipa, e cila ka qenë figurë e shuma markave tregtare, përfshirë edhe kozmetikën dhe e cila vitin e ardhshëm do të shfaqet në filmin ‘Argylle’, ka depërtuar në të dyja këto drejtime. Duke parë Lipën dhe këngëtarët e tjerë si ajo, ju kuptoni se ata po zgjerohen në fusha të tjera sa më shpejt të munden, pjesërisht për të garantuar praninë e tyre të kudondodhur, por edhe për të siguruar jetëgjatësi”, shkruan NYT.
Por, Lipa bën dallim edhe kur bëhet fjalë për aktivitetet jashtëmuzikore. Ndryshe nga këngëtaret e tjera të cilat kanë zgjedhur zgjerimin nëpërmjet inkuadrimit në industrinë e filmit a të markave, Lipa ka vendosur të zhvillojë ide e këtë e ka bërë dhe po e bën nëpërmjet “Service95”.
“Por me inkuadrimet saj të shumëfishta (shumica e të cilave qëndrojnë nën flamurin e ‘Service95’, qasja e Lipës është e dallueshme. Ajo po udhëheq me ide dhe informacione e jo produkte. Duke e kuruar kulturën përveçse duke kontribuuar në të. Ajo që filloi si një buletin i dizajnuar minimalisht, i krijuar me disa ish-redaktorë të revistave – numrat janë falas dhe i pari përmbante pjesë të shkurtra rreth muzikës shtëpiake të Afrikës së Jugut dhe shkrimtares me aftësi të kufizuara, Sinéad Burke – që atëherë është rritur për të përfshirë në të edhe video gatimi në YouTube. Biseda librash me autorë (të drejtuar nga Lipa) dhe seri kushtuar temave të tilla si shëndeti mendor i burrave dhe kriza e mprehtë në Londër, ku të rinjtë drogohen pa vetëdije nga të huaj”, shkruan NYT.
Sipas vlerësimeve të gazetarit Soller, “Service95” në të njëjtën kohë tregon diçka të Lipës, dhe është reflektim i ambicieve të saj.
“’Service95’ përfaqëson atë se kush është Lipa ‘pas dyerve të mbyllura’, thotë ajo, një hapësirë ku diskutimet rreth lirisë së transeksualëve janë po aq të zakonshme sa ato rreth bizhuterive dhe jogës. Megjithëse ajo është një vajzë e re, ambicioze dhe pasqyron besimin se i gjithë arti dhe kultura duhet të motivohen nga drejtësia sociale dhe se të gjithë artistët duhet të flasin për etikën dhe vlerat e tyre (të paktën ato që konsiderohen përparimtare të këndshme) në të gjitha kontekstet dhe mjediset”, shkruan NYT.
Në bisedën e saj për NYT, Lipa flet edhe për atë se sa është e lidhur veprimtaria e saj me politikën. Sipas saj, të mos pasurit një mendim për asgjë, është gjëja më e lehtë që dikush mund të bëjë.
“’Synimi im nuk është të jem politike… por ka një prirje politike në ekzistencën time. Gjëja më e lehtë që mund të bëni është të fshiheni dhe të mos keni një mendim për asgjë’. Këngëtarja megjithatë, është e kujdesshme se si i lejon kontribuuesit e saj ta përdorin këtë mikrofon. Ajo e di se është ajo që do të përballej me pasoja nëse do të lindte një problem, kështu që e miraton vetë çdo ngjarje dhe drejton mbledhjet editoriale javore”, shkruan NYT.
E sa i përket jetës private, Lipa thotë se përpiqet të ruajë aq sa mundet, e kjo sepse ajo nuk do që muzika e saj të shihet përmes thjerrëzës së jetës private.
“’Unë mendoj se është një mjet marketingu: Sa rrëfimtar mund të jesh?’, ka thënë ajo. ‘Unë gjithashtu nuk tregoj shumë nga jeta ime, e që më pas njerëzit të gërmojnë në muzikë në këtë mënyrë të çuditshme, analitike’”, shkruan NYT.
Përgatiti: Mirjetë Sadiku