Showbiz

Kontributi i Dua Lipës në ekonominë e Britanisë së Madhe

Dua Lipa

Dua Lipa

Këngëtarja me prejardhje kosovare e famë botërore, Dua Lipa, ndihmoi që ekonomia e Britanisë së Madhe të fitonte rreth 8 miliardë funte vitin e kaluar. Pop ylli, i njohur për hitet “New Rules” dhe “Levitating”, ishte një nga artistët me fitimet më të mëdha në industrinë muzikore, duke ndihmuar që të ardhurat shtetërore të rriten për pesë për qind. 

Albumi i saj “Radical Optimism” debutoi në vendin e parë në toplistat muzikore, ndërsa koncertet promovuese të këtij incizimi në Singapor, Japoni dhe Malajzi, ngritën të ardhurat nga eksporti në rreth 4.8 miliardë funte. Turnetë muzikore të yjeve, Taylor Swift, Liam Gallagher, grupi “Take That” dhe të Bruce Springsreenit, gjithashtu kontribuuan në këtë sukses së bashku me arritjet globale të Charli XCX me albumin e saj të fundit, “Brat”.

Nga totali prej 8 miliardë funtesh, për dallim nga 7.6 miliardë funtet që ishin mbledhur në vitin 2023, 1.49 miliardë erdhën nga shitjet fizike, shkarkimet online dhe transmetimet në platforma të ndryshme muzikore.

 Gjetjet janë në raportin vjetor ekonomik të organizatës “UK Music”. Në raport, thuhet se industria e muzikës punëson 220 mijë njerëz në Britani të Madhe, por gjithashtu paralajmërohet se rritja, e cila mori hov menjëherë pas përfundimit të pandemisë, ka filluar të ngadalësohet.

Shefi ekzekutiv i “UK Music”, Tom Kiehl, e mirëpriti këtë rritje por ritheksoi vështirësitë me të cilat përballet sektori i muzikës.

“Vitet e fundit organizata jonë ka raportuar rritje të dyfishtë vjetore për industrinë muzikore. Megjithëkëtë, vërehet se ka rënie të fitimeve, pas rritjeve që përjetuam menjëherë pas pandemisë si dhe çështje të tjera themelore të përcaktuara në këtë raport. Kjo tregon nevojën për veprim urgjent. Nëse problemet nuk adresohen, atëherë fitimet e mjaftueshme në të ardhmen nuk mund të garantohen”, deklaroi Kiehl.

30-vjeçarja, Dua Lipa, aktualisht është në Argjentinë me turne. Së fundmi, ajo ndau një foto me motrën e saj Rinën, në ndeshjen e ekipit futbollistik “River Plates” kundër rivalëve, “Boco Juniors”, pas dy koncerteve të mbajtura në stadiumin e Buenos Aires.