Showbiz

Drake rikthen “OVO Fest” këtë verë dhe paralajmëron projekt të ri solo

drake

Drake

Foto: Associated Press

Pas një pauze prej tre vjetësh, reperi i njohur, Drake, ka konfirmuar se festivali që e organizon, “OVO Fest” do të rikthehet këtë verë. Lajmin e ka dhënë vetë reperi kanadez gjatë një paraqitjeje surprizë në koncertin e artistit Central Cee në sallën History në Toronto, ditë më parë, ka raportuar Billboard.

Gjatë performancës së këngës “Nokia”, pjesë e albumit të tij të përbashkët me artistin PartyNextDoor, “$ome $exy $ongs 4 U”, Drake, ka zbuluar rikthimin e festivalit që themeloi në vitin 2010 dhe që u mbajt për herë të fundit në vitin 2022.

“Do të shihemi këtë verë, përndryshe. OVO Fest do të kthehet këtë vit”, ka thënë ai gjatë koncertit.

@caffeineart

Drake always comes thru for Toronto. You guys going to OVO Fest this year? Cench gonna be there. #drake #centralcee #centralceetoronto #ovofest #toronto #concert #cantrushgreatness

♬ original sound - Cristian

Në të njëjtën natë, ai ka “paralajmëruar” edhe pjesëmarrjen e mundshme të Central Cee në festival.
“Do të na duheni aty. Ai djalë, është vëllai im i vërtetë. E kam parë që nga dita e parë, një shpirt i mirë, punëtor i madh. Ky njeri ka parë gjithçka që duhej parë. Ka punuar, ka bërë këngët. Është një nga njerëzit më të mirë që njoh”, ka thënë ai për Central Cee.

Edicioni i fundit i OVO Fest në vitin 2022 kishte sjellë në skenë emra të mëdhenj si artistët Lil Wayne dhe Nicki Minaj.

Ndërkohë, reperi kanadez po punon intensivisht edhe për albumin e ri. Këtë e ka konfirmuar edhe artisti Smiley, pjesë e labelit të Drake, “OVO Sound”, përmes një videoje të postuar në Instagram Stories, e cila më vonë u shpërnda edhe nga vetë Drake.

“Vëlla, po ju them, e pashë! Ishim në një festë dhe ai ishte në dhomën tjetër vetëm, duke ngrënë makarona me kufje në vesh dhe duke shkruar këngë, ndërkohë që e gjithë festa po ndodhte jashtë. Është në një gjendje tjetër tani. Edhe gjatë xhirimeve të klipit për ‘Nokia’, gjatë pushimeve, ishte me disa producentë dhe incizonte. Është në një disponim ‘të çmendur’ për momentin ”, ka thënë Smiley.

Smiley që ka bashkëpunuar me Drake në këngën “Over The Top” (2021), i bëri këto komente pak javë pasi Drake konfirmoi zyrtarisht se është duke punuar për një album të ri solo.

“Faleminderit të gjithëve që po e dëgjojnë albumin. Çdo herë, çdo udhëtim. Po punoj për një album të ri”, ka thënë Drake në një livestream me Adin Ross në platformën Kick.

I pyetur nëse do të jetë projekt solo, ai konfirmoi duke thënë se “po”.

Albumi i tij i përbashkët me PartyNextDoor, “$ome $exy $ongs 4 U”, doli në muajin shkurt dhe u ngjit menjëherë në vendet e para të toplistave.

Gjatë koncertit në Australi, në RAC Arena në Perth, në kuadër të turneut “Anita Max Win”, Drake kishte treguar se është duke përgatitur një tjetër album solo.

“E kam një album të ri që do të dalë për Shën Valentin me PartyNextDoor. Quhet ‘$ome $exy $ongs 4 U’... Por kur të vijë momenti i duhur, Drizzy Drake, vetëm, do të ketë një bisedë një më një me ju. Një album që duhet ta dëgjoni”, pati thënë reperi.