Showbiz

Diagnostikimi që Chris Hemsworthit ia ndryshoi këndvështrimin për jetën

Chris Hemsworthit

Chris Hemsworthit

Foto: Associated Press

Aktori australian Chris Hemsworth ka zbuluar se, biologjikisht, ka tetë deri në dhjetë herë më shumë gjasa se shumica e njerëzve që të sëmuret me Alzheimer. Arsyeja është se ai ka dy kopje të gjenit APOE4, i cili lidhet me rrezikun e lartë të kësaj sëmundjeje.

Hemsworth, 41 vjeç, e mori këtë informacion gjatë xhirimeve të programit televiziv “Limitless: Live Better Now”, dhe ka thënë se ky zbulim ia ka ndryshuar jetën, ka raportuar FemaleFirst.

“Ishte një moment në jetën time ku deri në të 40-at, thjesht po grumbulloja të dhëna dhe informacione dhe reagoja ndaj tyre. Pastaj arrin një pikë ku mendon: disa pjesë të identitetit që kam ndërtuar nuk janë më të vërteta. Fillon një zë i brendshëm që kërkon kuptim më të thellë, cili është qëllimi dhe pse po e bëj këtë… çfarë po jap, jo thjesht çfarë po mbledh”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për ndikimin e orarit të ngjeshur të punës në shëndetin dhe mirëqenien e tij. Pas mbi 12 vjetësh me filma gjigantë, përfshirë tetë projekte të Marvelit, Hemsworth pranon se ishte e vështirë ta përballonte ritmin.

“U bë kohë e gjatë që po përpiqesha me ngulm të realizoja gjëra, sa isha thjesht i lodhur nga obsesioni dhe dëshira për të ndërtuar karrierën. U bëra i shqetësuar për gjithçka. Asgjë nuk ishte më e këndshme si më parë, apo siç e kisha imagjinuar”, ka thënë ai.

Ai kujton se xhirimet dhe turnetë promovuese ndodhnin njëkohësisht me jetën familjare, duke pasur tre fëmijë të vegjël.

“Po funksionoja me benzinë rezervë. Fillova të mendoja: ‘Pse po e bëj këtë film?’, ‘Pse ky skenar nuk është më i mirë?’, ‘Pse ai regjisor nuk më telefonoi?’, ‘Pse nuk u mora parasysh për këtë rol?’, ‘Pse nuk më fton Scorsese ose Tarantino?’ Kisha filluar ta merrja gjithçka shumë seriozisht dhe shumë personale”, ka thënë aktori.