Aktori i njohur, Chris Hemsworth, ka treguar se sot nuk u jep më rëndësi çmimeve “absurde” të Hollywoodit apo shifrave të fitimeve në arka filmike, duke thënë se vetëvlerësimi i tij nuk lidhet më me “gjërat e jashtme”.
42-vjeçari i njohur nga roli i Thorit ka pranuar se dikur besonte që një nominim prestigjioz apo suksesi i madh financiar i një filmi do ta bënte të ndihej më mirë me veten. Por me kalimin e viteve, mënyra se si ai e përkufizon suksesin ka ndryshuar rrënjësisht.
“Dikur mendoja se nëse do të nominohesha për diçka, do të ndihesha mirë me veten. Ose nëse do të kisha filmin më të suksesshëm të të gjitha kohërave, apo do të nisja një tjetër franshizë, atëherë do të isha i përmbushur. Është absurde”, ka thënë Hemsworth për “The Guardian”.
Ai ka shtuar se sot vetëvlerësimi i tij nuk mbështetet më te këta faktorë të jashtëm, ani pse ndonjëherë duhet t’ia kujtojë vetes.
“Vetëvlerësimi im nuk varet më nga të gjitha këto gjëra të jashtme, megjithëse ende duhet ta kujtoj veten herë pas here”, ka thënë ai.
Aktori ka folur edhe për mënyrën se si është bërë më i vetëdijshëm për brishtësinë e jetës, veçanërisht pas diagnozës me Alzheimer të babait të tij, Craig.
Kjo përvojë, sipas tij, e ka bërë të vlerësojë shumë më tepër kohën që kalon me bashkëshorten Elsa Pataky dhe fëmijët e tyre, vajzën India dhe binjakët Sasha e Tristan.
“Oreksi im për të ecur gjithmonë përpara është frenuar shumë. Je më i vetëdijshëm për brishtësinë e gjërave. Fillon të mendosh: ‘Babai im nuk do të jetë këtu përgjithmonë’”, ka thënë ai.
Hemsworth ka folur edhe për rritjen e fëmijëve të tij, tashmë 11 dhe 13 vjeç.
“Ato net kur ziheshin se kush do të flinte në shtratin tonë, papritur, ato nuk ndodhin më”, ka thënë ai.
Aktori pranoi gjithashtu se shumë nga rolet e tij të mëparshme i kishte zgjedhur për shkak të pagesave të mëdha.
“Mendoja: ‘Vij nga asgjëja. Kush jam unë që ta refuzoj gjithë atë para?’ E justifikoja veten edhe kur vendimet nuk ishin më të pastrat nga ana krijuese, por të paktën do të paguaja shtëpinë e prindërve, ose do të ndihmoja kushërinjtë e mi”, ka thënë ylli.
Në fund, Hemsworth ka treguar se gjatë viteve ka krijuar një lloj “personazhi” si në ekran, ashtu edhe jashtë tij, për të fshehur pasiguritë personale.
“Karakteri që shihni në intervista dhe mënyra si jam paraqitur gjatë dy dekadave në Hollywood jam unë, por është edhe një krijim. Është ajo që mendoja se njerëzit donin të shihnin. Të luaje një zot si Thori, u bë një lloj strehe. I mashtroi njerëzit duke i bërë të mendonin se isha aq i sigurt dhe i bindur në veten time”, ka thënë ndër të tjera ai.