Showbiz

Demi Lovato martohet me Jordan Lutes në një ceremoni në Kaliforni

Demi Lovato dhe Jordan Lutes

Demi Lovato dhe Jordan Lutes

Foto: Associated Press

Ylli i popit, Demi Lovato, është martuar me partnerin e saj Jordan Lutes të dielën (25 maj 2025) në një ceremoni private në Kaliforni. Këngëtarja 32-vjeçare u shfaq me një fustan të bardhë të personalizuar nga shtëpia ikonike britanike e modës “Vivienne Westwood”, përpara se të ndërronte veshjen për ceremoninë e mbrëmjes.

“Kam qenë prej kohësh adhuruese e krijimeve të ‘Vivienne Westwood’… Kur mendoja për stilin e fustanit që doja, gjithmonë më kthehej mendja te krijimet e saj, sidomos te mënyra si siluetat e fustaneve theksojnë bukur format e trupit përmes korseve”, ka thënë Lovato në një intervistë ekskluzive revistën Vogue.

Fustani i parë i Lovatos

Ajo ka shtuar se së bashku me stilistët arritën të krijonin diçka unike.

“Jo vetëm që punuam mbi frymëzimin fillestar, por shtuam detaje që e bënë këtë fustan të veçantë për mua... me pëlqen shumë gjithçka rreth tij”, ka thënë tutje këngëtarja.

Skica e fusanit të parë nga "Vivienne Westwood"

Për ceremoninë e dasmës në mbrëmje, Lovato ka veshur një tjetër fustan, një model elegant i bërë nga mëndafshi, i mbuluar me rruaza.


“Fustani i dytë kishte shumë detaje. Rruazat dhe forma e tij ishin elemente të veçanta, çdo varg rruazash ishte vendosur me dorë, një nga një. Është një pjesë unike që më bën të ndihem jashtëzakonisht e veçantë”, ka thënë tutje ajo.

Skica e fusanit të dytë nga "Vivienne Westwood"

Para dasmës u organizua një darkë një natë më parë, të shtunën (24 maj), vetëm për familjen dhe miqtë më të afërt të çiftit.

Më herët, Lovato kishte ndarë emocionet për martesën në një postim të përzemërt për Shën Valentinin në Instagram.

“Jordan, mezi pres të martohem me ty!! Tre vjetët e fundit kanë qenë më të bukurit e jetës sime, dhe për këtë faleminderit ty. Jam e fiksuar me zemrën tënde, dashurinë dhe dritën që sjell. Mezi pres të plakemi bashkë dhe të krijojmë familje… Gëzuar Shën Valentinin dashuria e jetës sime. Të dua zemër!”, pati shkruar ajo.

Çifti ka nisur lidhjen në vitin 2022 dhe janë fejuar në fund të vitit 2023, kur Lutes i propozoi Lovatos në Los Anxhelos, pak para Krishtlindjeve.

 “Kam pritur gjithë jetën për të. Është vërtet ngushëlluese të kesh një partner kaq mbështetës, të dashur dhe të kujdesshëm. Është shumë e lehtë të qëndroj me këmbë në tokë me të, sepse e dua aq shumë dhe ai më trajton në mënyrën më të mrekullueshme”, pati thënë ylli në një intervistë të mëparshme për revistën People.