Showbiz

CNN “qorton” yjet për dukjen në “Grammy”, vlerëson Dua Lipën në Javën e Modës në Paris

Dua Lipa

Gazetarja e CNN-it, Leah Dolan ka shkruar se shija e keqe ka mbretëruar në tepihun e kuq te ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Grammy”, dhe pikërisht për këtë arsye, ajo po mendon se moda ishte më interesante se kurrë.

A e bën shija e keqe modën më të mirë? Sipas asaj që u pa në tapetin e kuq të “Grammys” këtë vit, përgjigjja duket të jetë po.

Megjithatë, teksa mediumi prestigjioz amerikan e ka quajtur këtë javë një festë të shijes së keqe në modë, kontrasti është i fortë: dukjen më të bukur të javës, sipas tyre, e pati shqiptarja me famë botërore Dua Lipa.

Ajo u shfaq në pasarelën e brendit “Chanel” gjatë Javës së Modës në Paris, duke dëshmuar se bukuria klasike, kur bëhet me inteligjencë dhe forcë identiteti, vazhdon të ketë po aq ndikim sa edhe provokimi ekstrem.

Teksa disa yje zgjodhën veshje klasike dhe të sigurta në “Grammy”, si modelja Hailey Bieber me një fustan të zi pa rripa nga  brendi “Aläia”, apo ylli Madison Beer me një fustan elegant nga brendi “Andreë Këon”, vëmendjen e rrëmbyen pikërisht ato dukje që ishin pak të çuditshme, pak të shëmtuara dhe krejtësisht të paharrueshme.

Këngëtarja Cher u shfaq në skenë me një kombinim lëkure dhe dantelle, me një fund lëkure të grisur që dukej sikur po i rrëshqiste nga trupi.

Amy Taylor, vokalistja e grupit australian Amyl and the Sniffers, veshi një kostum në ngjyrë mishi me prerje dantelle ngjyrë rozë, të kombinuar me një bolero dhe me ije të gjata që zbriste deri në tokë. Kurse Jon Batiste zgjodhi një xhaketë ushtarake të mbuluar plot me gurë vezullues.

Në tapetin e kuq, situata u bë edhe më ekstreme: Chappell Roan u shfaq me një fustan të personalizuar nga brendi “Mugler”, me kapëse në gjoks, një rikrijim i fustanit provokues të vitit 1998, por që këtë herë i pajisur me pajisje protetike.

Bad Bunny bëri histori me veshjen e parë mashkullore të personalizuar nga brendi “Schiaparelli”, një kostum kadifeje me jakë të thella dhe një lidhëse korseti që i përshkonte gjithë shpinën.

Ylli  Lola Young zgjodhi një triko dhe pantallona sportive nga brendi “Vivienne Ëestëood”, të “fisnikëruara” me një kravatë me vija.

Ndërsa Shaboozey u angazhua plotësisht në estetikën e gjysmave të çuditshme: xhaketë dhe jelek nga brendi “Ralph Lauren”, të kombinuara me xhinse me rrip, po ashtu nga e njëjta markë.

Shija e keqe është subjektive dhe nuk ka gjithmonë nevojë të jetë aq e zhurmshme sa gurët e Jon Batiste apo fustani i Chappell Roan, ka shkruar ky medium.

Këngëtarja Billie Eilish, e veshur me brendin suedez “Hodakova”, e testoi kufirin e gjykimit estetik me një veshje që ishte qëllimisht e shëmtuar. Xhaketa dhe fundi ishin krijuar nga pantallona burrash të ricikluara, ku çdo xhep, qepje dhe lak rripi ishte lënë i dukshëm. Çorapet e bardha i binin pak poshtë gjurit, duke i bërë mbajtëset e çorapeve krejtësisht të panevojshme.

Në aspektin klasik të bukurisë, sipas Dolanit, kjo veshje ishte “gabim”.

Por ishte pikërisht ky gabim që të detyronte të shikoje më gjatë: rripat e panevojshëm, çorapet, takat e holla, çanta e vogël si nga Britania e viteve ’50, të gjitha bashkë krijonin diçka thellësisht intriguese.

“E shëmtuara është tërheqëse, e shëmtuara është emocionuese. Ndoshta sepse është më e re”, pati thënë disenjatorja Miuccia Prada për “T Magazine” në vitin 2013.

Sipas saj, eksplorimi i të shëmtuarës është më interesant se ideja borgjeze e bukurisë, sepse e shëmtuara është njerëzore dhe prek anën e errët, të papastër të njeriut.

Që nga koleksioni “Banal Eccentricity” i pranverë/verë 1996, i njohur si “Ugly Chic”, Prada ka sfiduar vazhdimisht paragjykimet estetike të njerëzve, duke përdorur motive që dikur përdoreshin për perde apo mbulesa tavoline dhe duke i kthyer në veshje mode.

Moda, sipas Dolanit, ashtu si një libër i vështirë, na rrit vetëm kur na sfidon. Ajo ka thënë se disenjatorë si Jean Paul Gaultier, Demna apo Marc Jacobs e kuptojnë këtë.

“Gjërat që na bëjnë të ndihemi në siklet nxisin debat, kërkojnë vëmendje dhe na detyrojnë të ndalemi më gjatë. Dhe në industrinë e modës, vëmendja është vlerë. Në fakt, shija e keqe ka qenë gjithmonë e dobishme për biznesin e modës, sepse risia është mënyra e vetme për të mbijetuar”, shkruan Dolan.

Njerëzit priren të pëlqejnë atë që njohin. Prandaj, ajo që sot e quhet “shije e keqe”, sipas Dolanit, nesër mund të jetë thjesht një ide që i ka paraprirë kohës së vet. Forma, silueta dhe koncepte që sot duken të gabuara, një ditë papritur duken të sakta.

“Shija e keqe është thelbi i argëtimit. Për ta kuptuar shijen e keqe, duhet të kesh shije shumë të mirë”, shkruante regjisori John Waters në librin e tij Shock Value në vitin 1981.