Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Cilat ishin ngjarjet kryesore muzikore më 2018

2018-ta ka qenë një vit i mbushur me ngjarje në skenën muzikore.

Si zakonisht, viti nisi me ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Grammy”, e cila u mbajt në muajin janar dhe ku fituesit kryesorë të mbrëmjes ishin Bruno Mars dhe Ed Sheeran. Ylli i R&B –së, Bruno Mars, e fitoi çmimin “Albumi më i mirë i vitit”, duke i mundur reperët Kendrick Lamar dhe Jay-Z. Mars i fitoi gjithsej gjashtë shpërblime “Grammy”, përfshirë këtu kategoritë “Kënga më e mirë e vitit” për hitin e tij "That's What i Like", si dhe çmimet “Incizimi më i mirë” dhe “Albumi më i mirë” për albumin “24K Magic." Ndërsa, Ed Sheeran i mori gjithsej dy shpërblime “Grammy” në kategoritë “Performanca më e mirë pop” për këngën "Shape of You" dhe “Albumi më i mirë pop”.

Një tjetër ceremoni shpërblyese, e cila mori vëmendje gjatë 2018-ës ishte ajo e ndarjes së shpërblimeve “Mercury Prize”, ku rok bendi “Wolf Alice” u nderua me çmimin kryesor të mbrëmjes për albumin "Visions of a Life". Bendi e mundi edhe Noel Gallagherin në garën për këtë çmim si dhe grupin shumë të suksesshëm në mbarë botën, “Arctic Monkeys”.

Taylor Swift e fitoi shpërblimin e saj të katërt “AMA” në ceremoninë, e cila zuri vend në tetor të vitit të kaluar. Ajo u nderua me shpërblimin “Artistja më e mirë e vitit”, duke i mundur kështu yjet e tjerë të nominuar si: Drake, Post Malone, Ed Sheeran dhe rok bendi “Imagine Dragons”.

Këngëtarja e lindur në Kubë, Camila Cabello, i mundi yjet e hiteve të mëdha si: Beyonce, Bruno Mars dhe Drake, si dhe i fitoi dy çmimet kryesore të ceremonisë “MTV Video Music Awards”, e cila u mbajt në muajin gusht. 21-vjeçarja Cabello, u shpall “Artistja më e mirë e vitit” si dhe e fitoi çmimin “Videoklipi më i mirë” për hitin e saj të mbushur me tinguj të muzikës latine, "Havana".

Edhe Lista e plotë e fituesve në Grammy, Bruno Mars triumfon Showbiz Lista e plotë e fituesve në Grammy, Bruno Mars triumfon

Ndërkaq, Dua Lipa dhe Stormzy, ishin fituesit më të mëdhenj të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “BRIT”, që janë ndër çmimet kryesore në industrinë e muzikës pop në Britani të Madhe. Dua Lipa u emërua “Solo artistja më e mirë britanike” dhe “Artisja më e mirë e re” në ceremoninë, e cila u mbajt në Londër në muajin shkurt të 2018-ës. Ndërsa, reperi Stormzy i fitoi çmimet “Solo artisti më i mirë britanik”, si dhe “Albumi më i mirë i vitit” për albumin e tij "Gang Signs & Prayer."

Një prej performancave më befasuese të vitit që e lamë pas, ishte ajo e, Paul McCartneyt, i cili i argëtoi fansat e tij me një performancë të veçantë në klubin e natës “Cavern” në Liverpool, lokacioni ku grupi “The Beatles” u bë i famshëm para më shumë se 50 vjetësh. Grupi për herë të parë kishte performuar në “Cavern Club” më vitin 1961 dhe disa vite më vonë u shndërrua në një prej fenomeneve më të mëdha në botë.

Me ta lansuar albumin e ri me titull “Love”, këngëtari i njohur kanadez, Michael Buble, në muajin mars foli për vendimin që e ka marrë që të bëjë një pauzë në karrierën muzikore, në mënyrë që t’i fokusohet 100 për qind shëndetit të djalit të tij, Noah, i cili është diagnostikuar me kancer në mëlçi.

Në muajin shtator, këngëtari britanik, Elton John, e filloi turneun botëror, me të cilin njëkohësisht do të përmbyllë karrierën e tij prej 5 dekadash në muzikë. Turneu me titull "Farewell Yellow Brick Road" do ta dërgojë kantautorin në 5 kontinente, ku do t’i mbajë më shumë se 300 koncerte përgjatë 3 vjetëve të ardhshme. Elton John, po ashtu, bëri të ditur se po nënshkruan kontratë me studion incizuese “Universal”, me të cilën do të qëndrojë deri në fund të karrierës së tij.

Edhe “Grammy”, festë e muzikës dhe skenë proteste e mesazhesh politike Kulturë “Grammy”, festë e muzikës dhe skenë proteste e mesazhesh politike

Pas rolit në filmin shumë të suksesshëm në arkat filmike "Mamma Mia! Here We Go Again", pop diva Cher e lansoi një album të përbërë nga hitet e pop grupit suedez. Albumi me titull, 'Dancing Queen', përfshin interpretimin e dhjetë këngëve më të njohura të bendit, hitet si: 'SOS', 'Waterloo', 'Mamma Mia' dhe 'Dancing Queen'.

Ylli i hitit 'Material Girl', Madonna, më 16 gusht të vitit 2018 e festoi ditëlindjen e saj të 60-të. Këngëtarja, autorja dhe afaristja e njohur amerikane, u lind në vitin 1958 në Michigan.