Showbiz

Calum Scott sjell duet të ri me Whitney Houstonin

Calum Scott dhe Whitney Houstonin

Calum Scott dhe Whitney Houstonin

Duket e pamundur, por kjo është magjia e saj. Të enjten, një këngë e re nga Whitney Houston u publikua, 13 vjet pas vdekjes së saj.

Përgjegjës për këtë është këngëtari britanik, Calum Scott.

https://www.youtube.com/shorts/RzVO2YpyvBA?feature=share

Kënga është një duet mes Scottit dhe Houstonit, një interpretim i ri në formë balade i këngës së përjetshme, “I Wanna Dance with Somebody (Who Loves Me)”, duke përdorur regjistrimet origjinale vokale të Houstonit.

“Nuk ishte as diçka që mund ta kisha ëndërruar si mundësi, dhe fakti që kam realizuar këtë projekt është një nder dhe një nga arritjet më të mëdha të karrierës sime”, tha Scott për Associated Press.

Zëri i Whitney Houston është një nga ata që e shoqëruan fëmijërinë e tij, falë nënës së tij, dhe ai e përshkruan ikonën amerikane si një nga artistet më me ndikim në jetën e tij dhe në jetën e shumë të tjerëve. Prandaj e përshkruan atë “të përjetshme”.

Një projekt i tillë nuk do të ishte i mundur pa aprovimin e disa palëve.

Konkretisht, ishte i nevojshëm miratimi i Pat Houston, kunata e Whitneyt dhe ekzekutorja e trashëgimisë së saj, si dhe miratimi i kompanisë “Primary Wave”, e cila bleu të drejtat autoriale për këngët e suksesshme të Houstonit në një marrëveshje të vitit 2022.

Fillimisht ata ia dhanë Scottit regjistrimet origjinale vokale të prodhuara nga producenti i saj i përhershëm, Narada Michael Walden.

Më pas, Scott e regjistroi këngën me producentët e tij, Jon “MAGS” Maguire, Andrew Yeates dhe Charlie T në Britani të Madhe.

I gjithë procesi i incizimit të këngës kishte zgjatur rreth një javë. Ata u shoqëruan edhe nga një orkestër instrumentesh me tela, që i dha më shumë thellësi versionit të tyre melankolik të këngës.

Kënga e re “I Wanna Dance with Somebody (Who Loves Me)” ka për qëllim të ndihet i gjallë, duke kanalizuar shpirtin e Houstonit, jo si një homazh, por si një këngë aktive.

Kjo është arsyeja pse versioni i tyre do të jetë pjesë e albumit të ri të Calum Scottit, “Avenoir”, që lansohet për publikun e gjerë më 10 tetor.