Showbiz

Callum Turner: Dua Lipa është gruaja më e bukur në botë

dua lipa

Aktori britanik Callum Turner ka treguar për herë të parë detaje të njohjes dhe lidhjes me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

Në një intervistë për The Sunday Times Style, Turner, 35 vjeç, tha se përpara se të takoheshin për herë të parë, ata kishin pasur disa “takime të humbura” ndër vite – në festa, përmes miqve të përbashkët apo në vende të ndryshme – por asnjëherë nuk ishin takuar vërtet.

“Ka pasur ndoshta dy, tre, katër, pesë raste ku kemi shmangur njëri-tjetrin për pak minuta. Ajo ka shkuar në një festë dhe unë kam ardhur vetëm pak më vonë. Në një rast ajo kishte dalë në 1:45 të mëngjesit, unë mbërrita në 2” ka treguar Turner.

Ai tregon se momenti i parë që i afroi vërtet ndodhi në Los Anxhelos, ku u ulën pranë njëri-tjetrit dhe zbuluan se të dy po lexonin të njëjtin libër – Trust nga Hernan Diaz.

“Unë i thashë që sapo kisha përfunduar kapitullin e parë dhe ajo më tha, ‘Edhe unë sapo përfundova kapitullin e parë.’ I thashë, ‘Atëherë jemi në të njëjtën faqe.’ Ishte si në një film. Ishte momenti i parë ku thashë me vete: ‘E kuptoj. Shenjat janë të qarta.’”

Lidhja e tyre u bë publike më herët këtë vit, ndërsa së fundmi është konfirmuar edhe fejesa mes dyshes.

Pavarësisht orareve të ngjeshura në karrierat e tyre – ai në film dhe ajo në muzikë – Turner tha se përpiqen ta ruajnë afërsinë përmes vizitave të shkurtra dhe komunikimit të përditshëm.

Ai tregoi se kohët e fundit kishte fluturuar drejt Bostonit vetëm për dy ditë, ku kishin kaluar kohë së bashku në një prej restoranteve më të mira që kishte provuar ndonjëherë.

Turner është i njohur për rolet e tij në filma si Fantastic Beasts, ndërsa Dua Lipa ka qenë aktive me projekte muzikore dhe filma, përfshirë rolin në Argylle dhe kolonën zanore të filmit Barbie.