Showbiz

Cage dhe Hoult marrin vëmendjen në premierën e filmit “Renfield”

Aktorët Nicolas Cage dhe Nicholas Hoult, të cilët në të kaluarën kanë luajtur së bashku si babë e bir në filmin, “The Weather Man”, kanë ndërruar zhanër me projektin e tyre të ri, “Renfield”, i cili është një film klasik horror.

Hoult e portretizon kryepersonazhin “Renfield”, kurse Cage vjen në rolin e shefit të tij të lig, Dracula.

Në premierën botërore të filmit në New York, Nicolas Cage, tha se ndihet krenar që tani ai e ndjek Houltin si rol dytësor.

“Nuk jam befasuar nga fakti se ai është shndërruar në një yll filmi, sepse edhe kur ishte vetëm 14-vjeçar e vura re talentin e tij për aktrim, falë vetëbesimit që kishte dhe dashurisë për filmin. Dhe në fakt isha i lumtur për të punuar sërish me të. Ndryshimi është se, atëkohë unë isha protagonist dhe ai kishte rol dytësor, por tani i kemi ndërruar rolet. Prandaj ishte interesant ta shikoja duke udhëhequr në sheshin e xhirimeve dhe ishte kënaqësi ta mbështesja në vizionin e tij. Ajo që kam vënë re është se ai ka sens të mrekullueshëm të humorit dhe përnjëherë arrin t’i ndërrojë emocionet dhe të shfaqet më i cenueshëm. Thjeshtë, e ka sjell një version krejtësisht ndryshe të Renfieldit. Unë mendoj se ai e ka rishpikur këtë personazh”, deklaroi Cage.

Hoult, i cili ishte vetëm 14-vjeçar kur e portretizoi djalin e Cageit, tha se ishte një përvojë special bashkëpunimi i dytë me aktorin e tij të preferuar.

“Isha shumë me fat që pata mundësinë të punoja sërish me Nicolasin. Kam mësuar shumë prej tij kur isha vetëm 14-vjeçar dhe thjeshtë nga mënyra se si ai sillet në sheshin e xhirimit dhe si e përdorë talentin e tij. Por, tani që kam pasur rastin që të shoh më shumë filma të tij, e vlerësojë lartë çdo gjë që ai ia ka dhënë kinematografisë ndër vite. Për mua ishte ndjenjë e veçantë të kisha rastin ta vëzhgoja sërish duke punuar dhe të mësoja dhe inspirohesha nga të gjitha idetë e tij”, tha Hoult.

Edhe aktori Ben Schwartz, u shpreh i lumtur që pati mundësinë të bashkëpunojë me yllin e njohur të Hollywoodit.

“Pjesëmarrja në këtë film është e mahnitshme. Gjëja më e bukur është mundësia për të aktruar krahas Nicolas Cage, të cilit ia kam shikuar çdo film që e ka realizuar në karrierën e tij. Po ashtu, kisha rastin që për herë të parë ta portretizoja një personazh të lig dhe kjo e bëri këtë përvojë edhe më të veçantë. Po ndihem sikur jam në Parajsë”, deklaroi aktori.

Cage po ashtu deklaroi se portretizimi i vampirit më të famshëm në botë ishte një sfidë për të, por me interpretimin e tij është munduar t’i sjell diçka të re publikut.

“Pikë së pari, Dracula është një personazh që është portretizuar disa herë në të kaluarën. Është luajtur në mënyrë të mrekullueshme nga aktorë të tillë si, Bela Lugosi, Frank Langella, Christopher Lee dhe Gary Oldman, prandaj mendova se çfarë risie mund ta sjellë unë me aktrimin tim. Provova ta gjejë një barazim mes Draculas së frikshëm dhe me sens humori, dhe pikërisht kjo ishte sfida më e madhe për ta arritur”, shtori tutje Cage.

Filmi fokusohet në ndihmësin e kontit transilvanian, Renfield, i cili fillon si një shërbëtor i përkushtuar i Draculas por gradualisht zhgënjehet me kryerjen e veprave keqdashëse të tij. Kur i bie në sy një police trafiku e portretizuar nga aktorja komike, Awkwafina, dashuria e nxit Renfieldin ta rivlerësojë këndvështrimin për jetën dhe gatishmërinë e tij për të vazhduar ta ndihmojë Draculan.

“Renfield” fillon së shfaquri nëpër kinema nga 14 prilli.