Nicolas Cage ka folur më gjatë për karrierën e tij dhe rolet që merr nëpër filma.
Ai ka thënë se është siguruar gjithmonë që të mos “bllokohet” duke luajtur vetëm një lloj roli në karrierën e tij të gjatë në Hollywood, duke theksuar se i pëlqejnë si rolet e heronjve ashtu edhe ato që kanë karakter negativ.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë premierës së serialit “Spider-Noir” në Regal Times Square në New York më 13 maj, aktori 62-vjeçar foli për karrierën e tij dhe për zgjedhjet që ka bërë ndër vite. Ai tha se nuk ka preferencë të fortë mes roleve pozitive apo negative, pasi sipas tij të dyja janë pjesë të rëndësishme të kinemasë.
“Keqbërës? Kam luajtur shumë keqbërës. Më pëlqejnë të dyja. Mendoj se të dyja janë pjesë të rëndësishme të kinemasë. Nuk dua të mbetem i mbyllur në një gjë të vetme”, tha ai.
Cage gjithashtu kujtoi një moment nga fillimi i viteve 2000, kur kishte biseduar me regjisorin Sam Raimi për mundësinë që të luante rolin e Green Goblin në filmat e Spider-Man (2002). Megjithatë, ai vendosi të mos e merrte atë rol dhe në vend të tij zgjodhi të luante në filmin Adaptation, një vendim që ai ende e konsideron të drejtë.
Ai e përshkroi këtë zgjedhje si një vendim për të bërë një film më të vogël, më intim dhe më “romantik”, në krahasim me një produksion të madh.
“Vendosa të bëj një film tjetër, nmë i vogël, më romantik se tragjik. Por i thashë Samit: shpresoj që kushdo që e luan Spider-Manin ta përqafojë lëvizjen e trupit si merimangë, të paktën për një moment, vetëm në apartamentin e tij, duke u ngjitur në mure apo diçka të tillë,” tha ai me humor.
Më vonë, roli i Green Goblin iu dha Willem Dafoe, ndërsa Spider-Man u interpretua nga Tobey Maguire.
Cage ka qenë gjithmonë i njohur për shumëllojshmërinë e roleve të tij. Ai fitoi një çmim “Oscar” për rolin në Leaving Las Vegas dhe u nominua për “Oscar” për rolin në Adaptation.
Më pas, ai u rikthye në universin Marvel duke luajtur Ghost Rider në Ghost Rider dhe në vazhdimin Ghost Rider: Spirit of Vengeance.
Ai gjithashtu ka eksperimentuar me role të errëta dhe të pazakonta, përfshirë interpretimin e një vrasësi serial në filmin “Longlegs” dhe rolin e tij meta në “The Unbearable Weight of Massive Talent”, ku luan një version fiktiv të vetvetes.
Në projektin e ri “Spider-Noir”, Cage luan Ben Reilly, një detektiv privat në Nju Jorkun e viteve 1930, i cili ka aftësi të ngjashme me Spider-Manin. Ky version i personazhit është frymëzuar nga seria e komikëve “Spider-Man Noir”, e cila debutoi në vitin 2008.
Sipas përshkrimit të serialit, personazhi i tij përballet me të kaluarën e vet pas një tragjedie personale, ndërsa është i vetmi superheroi në qytet.
Cage tha se për këtë rol ka dashur të kombinojë stilin e aktorëve klasikë të Hollywoodit me universin e Spider-Manit. Ai përmendi aktorë si James Cagney, Humphrey Bogart dhe Edward G. Robinson si burime frymëzimi.
“Doja të krijoja një përzierje mes këtyre aktorëve dhe kryeveprës së Stan Leet, Spider-Manit, për të krijuar diçka të re,” tha ai.
Ai shtoi se synimi i tij ishte të krijonte një stil që i ngjan një pikture “pop-art” në stilin e Roy Lichtenstein.
Në një intervistë tjetër për “Esquire” në shkurt, ai e përshkroi personazhin e tij si “70% Bogart dhe 30% Bugs Bunny”.
Për sa i përket xhirimeve, Cage tha se kishte bërë disa skena aksioni dhe përdorim kabllosh (wirework), por pa incidente serioze.
“Nuk kam ndonjë histori të çmendur. Kam bërë shumë skena me kabllo, që është normale sepse personazhi fluturon dhe lëviz nëpër rrjeta. Më pëlqen shumë kjo pjesë”, tha ai.
Ai shtoi se ishte ndier i sigurt gjatë xhirimeve dhe se pjesa më e rëndësishme për të ishte krijimi i një stili interpretimi që përshtatej me formatin bardh e zi të serialit.
Seriali “Spider-Noir” do të publikohet në dy versione: “bardh e zi autentik” dhe “me ngjyra të plota”.
Cage shpjegoi se të dy versionet kanë vlera të ndryshme artistike.
“E vërteta është se të dy funksionojnë dhe janë të bukur për arsye të ndryshme. Versioni me ngjyra është shumë i ngopur dhe i bukur. Mendoj se shikuesit e rinj do ta pëlqejnë më shumë me ngjyra, por gjithashtu dua që ata të kenë mundësi zgjedhjeje,” tha ai.
Ai shtoi se versioni bardh e zi mund t’i nxisë shikuesit të interesohen për filmat klasikë dhe artin e kinemasë së hershme.
Në fund të intervistës, u bë e ditur se pas këtij projekti, Cage do të luajë rolin e legjendës së NFL John Madden në filmin biografik Madden, ku do të luajë përkrah Christian Bale.
Filmi pritet të tregojë rrugëtimin e Madden nga triumfet në Super Bowl me Oakland Raiders, deri te krijimi i lojës së famshme video Madden NFL dhe ndikimi i tij si një nga figurat më ikonike të futbollit amerikan.