Aktori 37-vjeçar, Paul Kelly, ka shprehur hapur dëshirën për të interpretuar agjentin legjendar 007, ndërsa Amazon MGM Studios vazhdon kërkimin për aktorin e ri që do të pasojë Daniel Craig në rolin e James Bond.
Në një intervistë për revistën People, Kelly tha shkurt dhe qartë: “Dua të jem James Bond.”
I pyetur nëse mund të realizojë një theks britanik bindës, aktori kanadez fillimisht bëri shaka duke thënë: “Absolutisht jo”, përpara se të shtonte menjëherë: “Jo, po bëj shaka", shkruan FemaleFirst.
Kelly, i cili u bë i njohur për interpretimin e John F. Kennedy Jr. në serialin televiziv Love Story, e sheh rolin e Bond si një sfidë profesionale që do ta mirëpriste.
“Do të ishte e mrekullueshme. Po ec me rrjedhën e gjërave. Mendoj se çdo projekt do të jetë një sfidë dhe pikërisht personazhe të mira, komplekse dhe krijuese janë ato që po kërkoj tani”, tha ai.
Edhe
Ish-përzgjedhësja e aktorëve të Bondit: Asnjëri nga favoritët s’duhet të jetë agjenti i ri 007
Ndërkohë, Amazon MGM Studios ka marrë kontrollin krijues të ekskluzivitetit të filmave të James Bond nga producentët afatgjatë Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson.
Filmi i ardhshëm i serisë do të drejtohet nga Denis Villeneuve, i njohur për Dune, ndërsa skenari po shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit Peaky Blinders. Sipas raportimeve, historia mund të fokusohet te kërcënimet që paraqet inteligjenca artificiale.
Spekulimet e fundit sugjerojnë se filmi i 26-të i James Bond mund të nisë së shpejti prodhimin në Pinewood Studios në Angli, megjithëse aktori kryesor ende nuk është zgjedhur.
Studioja ka konfirmuar se procesi i audicioneve tashmë ka filluar.
“Kërkimi për James Bond-in e ardhshëm është në zhvillim. Nuk planifikojmë të komentojmë detaje specifike gjatë procesit të kastimit, por mezi presim të ndajmë më shumë lajme me fansat e 007 në momentin e duhur”, thuhet në një deklaratë zyrtare.
Edhe
Callum Turner reagon ndaj raportimeve për rolin e James Bondit
Sipas raportimit të Variety, studioja ka angazhuar drejtoreshën e njohur të kastimit Nina Gold për të ndihmuar në përzgjedhjen e Bondit të ri.
Mes emrave që përmenden si kandidatë potencialë për rolin e agjentit 007 janë Callum Turner, Aaron Taylor-Johnson dhe Jacob Elordi.