Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Callum Turner reagon ndaj raportimeve për rolin e James Bondit

Callum Turner

Callum Turner

Foto: Associated Press

Aktori, Callum Turner, ka reaguar më në fund ndaj spekulimeve të vazhdueshme se ai mund të jetë aktori i ardhshëm që do të luajë rolin e James Bondit, duke këmbëngulur se nuk di asgjë për procesin e përzgjedhjes.

Aktori 36-vjeçar, i cili prej kohësh përmendet si një nga favoritët për rolin e agjentit 007 pas largimit të aktorit, Daniel Craig, nga filmi, ka thënë se nuk di asgjë për këtë.

“Di po aq sa dini ju. Vërtet, di po aq sa dini ju”, ka thënë ai për The Hollywood Reporter.

Aktori ka treguar se thashethemet kanë bërë që miqtë dhe familjarët ta pyesin vazhdimisht për këtë rol.

“Ajo që është qesharake me Bondin është se edhe miqtë më të afërt të pyesin. Të shkruajnë njerëz me të cilët nuk ke folur prej 10 vjetësh, ndërsa ti nuk di asgjë. Është një situatë e çuditshme, sikur diçka po ndodh dhe njëkohësisht nuk po ndodh asgjë. Sinqerisht, nuk di asgjë. Më duket argëtuese”, ka thënë ai.

Edhe Ish-përzgjedhësja e aktorëve të Bondit: Asnjëri nga favoritët s’duhet të jetë agjenti i ri 007 Showbiz Ish-përzgjedhësja e aktorëve të Bondit: Asnjëri nga favoritët s’duhet të jetë agjenti i ri 007

Megjithatë, regjisori dhe aktori i njohur George Clooney, i cili punoi me Turnerin në filmin “The Boys in the Boat”, beson se ai do të ishte zgjedhja ideale për Bondin e ri.

“Callum nuk ka zgjedhur rrugën e lehtë për të fituar para. Ai ka bërë projekte shumë interesante. Ka diçka te ky djalë që tërheq vëmendjen e njerëzve. Shpresoj që ai të bëhet Bondi i ardhshëm. Do të ishte një Bond i shkëlqyer. Është i gjatë, i pashëm, karizmatik dhe britanik, pra personi perfekt për këtë rol”, ka thënë Clooney.

Ndërkohë, Amazon MGM Studios ka konfirmuar se kërkimi për aktorin e ri që do të interpretojë James Bond ka nisur zyrtarisht.

“Nuk planifikojmë të komentojmë detaje specifike gjatë procesit të përzgjedhjes, por mezi presim të ndajmë lajme të reja me fansat e 007 në momentin e duhur”, thuhet në deklaratën e studios.

Edhe Paul Kelly shpreh interes për rolin e James Bond: “Dua të jem 007” Showbiz Paul Kelly shpreh interes për rolin e James Bond: “Dua të jem 007”

Filmi i ri i sagës së James Bond do të drejtohet nga regjisori i filmit “Dune”, Denis Villeneuve, ndërsa skenari po shkruhet nga krijuesi i serialit “Peaky Blinders”, Steven Knight.