Kohavisioni do t’iu bashkohet 20 televizioneve në botë nga Kanadaja e deri te Koreja e Jugut në transmetimin e ciklit të dokumentarëve “Bota ime”, prodhuar nga BBC-ja.
Ky program ka për qëllim të informojë audiencën e re për rëndësinë e raportimit të pavarur dhe vjen si bashkëprodhim i aktores së njohur Angelina Jolie në bashkëpunim me programin “Microsoft Education” dhe BBC-në, e cila mban kontrollin editorial mbi përmbajtjen.
Producenti ekzekutiv i Kohavisionit, Dardan Selimaj, ka thënë se Kohavisioni i është bashkuar nismës duke qenë se është promotor kryesor i raportimit të pavarur.
“Në këtë kohë kur Kosova, e për rrjedhojë të rinjtë e këtij vendi bien pre në çdo moment të raportimeve të rrejshme, është tejet e rëndësishme t’i bashkohemi një nisme si kjo për ta luftuar një dukuri të keqe e cila ka prekur dukshëm skenën mediale kosovare”, ka thënë ai.
Duke pasurnë fokus një audiencë të re (13+), programi, sipas tij, synon të mbushë një boshllëk global në informacion të besueshëm për audiencën e re, të cilët lejohen të kenë qasje në shumë platforma dhe janë të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme me cilësi të dobët dhe qëllim dezinformimi.
“Bota ime” është program javor dhe me kohëzgjatje prej 30 minutash. Angelina Jolie nga këndvështrimi i një prindi ka thënë të jetë e lumtur që është në gjendje të japë mbështetjen për një program si ky.
Edhe
“Një botë”, çdo të shtunë në KTV
“Shpresoj se do t'i ndihmoj fëmijët të gjejnë informacionin dhe mjetet që u duhen për të bërë ndryshime në çështjet që kanë rëndësi për ta”, kishte thënë në një konferencë për media e organizuar javën që shkoi.
“Bota ime” do të sigurojë qasje shumë të nevojshme dhe të paanshme në informacionin e standardit më të lartë editorial, duke ndihmuar të rinjtë të kuptojnë botën përreth tyre.