Këngëtari kosovar, Blerim Muharremi, i njohur si Blero, konfirmoi shkurorëzimin nga bashkëshortja, modelja Afrona Dika.
Ai shkroi në Instagram, të enjten, se arsyet për ndarjen janë “tërësisht personale”, duke shtuar se për këtë “s’ka hapësirë për interpretim, keqinterpretim apo përdorim të imagjinatës”.
“Pra, miq e dashamir, lidhja jonë ka përfunduar, ndaj situata është e rënduar ashtu siç është. Madje, edhe pa e kthyer në pjesë të debatit publik. Unë po ju drejtohem me një kërkesë për herë të parë dhe të fundit, me shpresë që do të hasi në mirëkuptimin tuaj. Ta lëmë ashtu siç është këtë pjesë të jetës sime dhe të mos merremi më gjatë me të. Ky është vendimi i cili na përkiste vetëm mua dhe Afronës, ndaj dhe dëshiroj që ta mbajmë të tillë”, shkroi Blero.
Ai shtoi se kjo është hera e parë dhe e fundit që deklarohet për këtë çështje.
Këngëtari më herët ishte i martuar me artisten Teuta Krasniqi, me të cilën ka një vajzë.