Aktorja Blake Lively ka kërkuar që të tërheqë dy prej akuzave që ka ngritur ndaj regjisorit Justin Baldoni, me të cilin ka qenë në një konflikt ligjor që nga dhjetori i vitit 2024. Ata bashkëpunuan në filmin “It Ends With Us”, dhe Lively e kishte paditur Baldonin për ngacmim seksual dhe për fushatë për njollosjen e saj në publik, ka raportuar BBC.
Sipas “Variety”, mbrojtja e Baldonit ka kërkuar që Lively të dorëzojë dokumentacionin mjekësor, përfshirë shënimet nga terapitë, për pretendimet se kishte përjetuar “dhembje të forta emocionale, poshtërim dhe turp”.
Lively ka kërkuar që të heqë dorë nga dy akuza specifike: ajo për shkaktim të qëllimshëm dhe për shkaktim të pakujdesshëm të shqetësimit emocional, por pritet që gjykata të vendosë nëse do t’i pranojë kërkesat apo nëse do ta detyrojë aktoren të dorëzojë informacion rreth shëndetit të saj mendor.
“Në vend që të përmbushej kërkesa për dokumentacion mjekësor, avokatët e zonjës Lively na njoftuan me shkrim se ajo po tërheq akuzat për shqetësim emocional”, thuhet në dokumentet e dorëzuara nga ekipi ligjor i Baldonit.
Megjithatë, Baldoni kërkon që tërheqja e këtyre pretendimeve të nënkuptojë që ato të mos mund të ringrihen më në të ardhmen. Por sipas avokatëve të Livelyt, ajo nuk e ka pranuar këtë kërkesë, duke lënë të hapur mundësinë që akuzat të kthehen sërish në lojë.
“Padia e Baldonit është thjesht një akt për mediat. Strategjia e Baldonit dhe kompanisë së tij Wayfarer, për të ngritur kundërpadi hakmarrëse, i ka ekspozuar ndaj dëmeve të reja sipas ligjit të Kalifornisë – gjë që i ka bërë disa nga akuzat origjinale të Livelyt të panevojshme”, i kanë thënë Varietyt avokatët e Livelyt.
Ata shtuan se Lively “vazhdon ta akuzojë për shqetësim emocional” si pjesë e disa prej padive të tjera në çështje, siç janë ngacmimi seksual dhe hakmarrja, dhe kërkon dëmshpërblim të konsiderueshëm financiar për të gjitha akuzat.
Në janar të këtij viti, Baldoni ka ngritur kundërpadi ndaj Livelyt dhe bashkëshortit të saj, aktorit të njohur Ryan Reynolds, duke i akuzuar për shantazh, shpifje dhe shkelje të privatësisë.
Kjo përplasje ligjore mes tyre ka shpërthyer pas publikimit të filmit “It Ends With Us” verën e kaluar, i cili është adaptim i romanit të njohur nga autorja Colleen Hoover. Në film, Lively luan rolin e Lily Bloomit, një grua e re që rritet në një familje me dhunë në familje dhe përfundon vetë në një situatë të ngjashme.
Në muajin e kaluar, edhe këngëtarja Taylor Swift u përfshi në mënyrë të tërthortë në procesin gjyqësor, pasi u tha se ajo kishte nxitur Baldonin të pranonte ndryshime në skenarin e Livelyt.
Por përfaqësuesit e Swiftit deklaruan se ajo nuk është e përfshirë.
“Ajo nuk ka qenë e përfshirë në asnjë vendim për kastin apo krijimin e filmit” dhe “nuk ka parë asnjë montazh apo bërë ndonjë koment për filmin”, kanë thënë përfaqësuesit e Swiftit.
Thirrja për ta dëshmuar Swifti u anulua dy javë më vonë, pasi avokatët e saj argumentuan se ajo ishte “e panevojshme”, sipas Variety.