Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Billie Eilish brengoset për adhuruesen në mes të koncertit

Kantautorja e njohur amerikane, Billie Eilish, e ndërpreu koncertin për pak kohë, për ta ndihmuar një adhuruese e cila kishte nevojë për inhalator, ngjarje kjo e cila ndodhi gjatë fundjavës.

Në një klip që po qarkullon në rrjetet sociale, këngëtarja e cila aktualisht është duke e realizuar turneun “Happier Than Ever, The World Tour”, shihet duke e vendosur sigurinë e adhuruesve në rend të parë, derisa e brengosur i drejtohet një personi me fjalët: “A ke nevojë për inhalator. A mund të ma sillni një inhalator ju lutem?. Në rregull, e gjetëm një. Jepini pak kohë dhe mos e ngufatni atë. A ke nevojë të largohesh? A je e sigurt që po ndihesh mirë”, dëgjohet duke thënë Eilish në videon e postuar.

Në një tjetër postim të siguruar nga ueb faqja “TMZ”, artistja 20-vjeçare deklaron para të pranishmëve në arenën “State Farm” të Atlantas: “Unë pres që njerëzit të jenë në rregull para se ta vazhdojë performancën”. Disa mendojnë se ky ishte thumbim ndaj reperit, Travis Scott, i cili u përfshi në një skandal gjigant pas tragjedisë në koncertin e tij të fundit, ku mbetën të vdekur 10 fansa.

Turneu i ri muzikor i Eilishit ka filluar javën e kaluar me koncertin e parë në New Orleans. Tutje ajo do të performojë në qytetin Charlotte në Karolinën Veriore.

“Happier Than Ever, The World Tour” u kërkon adhuruesve të jenë plotësisht të vaksinuar për COVID-19, apo të kenë prova të testit negativ për koronavirus të kryer 48 orë para hyrjes në koncert. Përveç kësaj janë të detyruar të mbajnë maska për të mirën e shëndetit të tyre, Billie Eilishit dhe anëtarëve të saj të bendit dhe gjithë ekipit që gjendet prapa realizimit të këtyre koncerteve.