Këngëtarja e famshme botërore Beyonce, është shfaqur në një film të titulluar “Renaissance: A Film by Beyonce”, që përkon me albumin dhe turneun e saj.
Në këtë film ajo përshkruan se sa shumë ka punuar dhe si kanë rrjedhur gjërat deri tek realizimi i turneut.
Ajo për vete ka thënë se nuk është “makineri” që punon pa ndalur, pasi që përveç faktit se është nënë e tre fëmijëve, asaj i është dashur të qëndrojë në një gjendje shumë të mirë fizike e mentale në mënyrë që interpretimi i saj nëpër koncertet e turneut të jetë sa më perfekt.
Agjencia e lajmeve “Assosiated Press” e ka quajtur këngëtaren “perfeksioniste” teksa shkroi për përkushtimin dhe vendosmërinë që ylli ka ndaj punës që bën. Ajo ka punuar për 50 ditë pa ndalur në mënyrë që të krijojë një eksperiencë epike nga koncertet. Kjo gjë shihet qartë edhe në film, ku në mënyrë kronologjike këngëtarja shpërfaq punën që ka bërë për turneun që promovon albumin e ri.

Filmi që është shkruar, drejtuar dhe prodhuar nga vet Beyonce tregon gjithashtu edhe pjesë nga jeta personale e këngëtares e cila rrallë ka dhënë intervista gjatë dekadës së fundit.
Beyonce lansoi filmin e saj gati tre orësh nëpërmjet “AMC Theaters” në mënyrë të ngjashme si filmi i yllit Taylor Swift, “The Eras Tour”, i cili u hap me një rekord prej 97 milionë dollarë muajin e kaluar.
Por ndryshe nga Swift, projekti i të cilës u përqendrua kryesisht në performancat skenike, Beyonce mori një qasje tjetër duke ofruar më shumë pamje nga jeta e saj personale.
Ajo ka thënë se mezi pret që të gjithë ta shohin filmin ku punëtorja e palodhur e muzikës flet edhe për një operacion që iu desh ta bëjë në gjurin e saj, procedurë pas të cilës iu desh të pushonte një muaj para se të fillonte turneu me shfaqjen e parë në Stockholm.
Filmi paraqet disa interpretues, emra të mëdhenj, që shoqëruan Beyoncen në skenë, duke përfshirë këngëtaren Megan Thee Stallion, në koncert në Houston, SHBA.
Gjatë qëndrimit në Los Angeles, këngëtari Kendrick Lamar ishte i ftuar special i Beyonces së bashku me yllin Diana Ross, e cila i këndoi yllit për ditëlindjen e saj të 42-të.
Por nga të gjitha paraqitjet e famshme, ajo që tërhoqi më së shumti vëmendje ishte vajza 11-vjeçare e Beyoncet, Blue Ivy. Fillimisht, Beyonce ishte kundër interpretimit të Blues nëpër koncerte para dhjetëra e mijëra të pranishmëve.
“Ajo më tha se ishte gati të performonte dhe unë i thashë jo”, ka thënë Beyonce në film. Por pas një kohë ia dha pëlqimin të bijës që të dilte në skenë.
Megjithatë Blue u kritikua për lëvizjet e saj. Këto kritika Blue ka thënë se e bënë më të fortë dhe i dhanë motiv për të vazhduar të ushtronte më shumë.
Maturia që Blue tregoi i solli shumë krenari nënës së saj si dhe gjyshit Matheë Knowles.
“Kjo po që është një ‘Knowles’”, shihet në film të thotë më krenari Mathew.
Beyoncé së bashku me nënën e saj ndanë momente të përzemërta të dajës së ndjerë të këngëtares, Johnny - një homoseksual që e prezantoi atë me zhanrin e muzikës ‘house’ kur ishte fëmijë dhe ia bëri fustanin e mbrëmjes së maturës.
Albumin "Renaissance", ylli ia dedikoi atij pasi ai humbi jetën pas një beteje me sëmundjen HIV.