Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

BBC-ja kërkon falje për lëshimet në intervistën e 1995-s me princeshën Diana

Hetimi ka konstatuar se gazetari i BBC-së, Martin Bashir, i kishte falsifikuar dokumentet për ta siguruar intervistën me princeshën e Uellsit dhe më vonë i kishte gënjyer menaxherët e BBC-së lidhur me to. BBC-ja ka bërë të ditur se hetimi i shpërfaq “dështimet e qarta”, ndërsa ka kërkuar falje lidhur me këtë

Transmetuesi i njohur britanik BBC “nuk ka qenë në gjendje që t’i arrijë standardet e larta të integritetit dhe transparencës, të cilat janë shenjë e saj dalluese” gjatë intervistës famshme të gazetarit Martin Bashir me princeshën e Uellsit, Diana, më shumë se 20 vjet më parë.

Ky është konstatimi i publikuar të enjten i një hetimi të ndërmarrë lidhur me rastin.

Gazetari i kishte falsifikuar dokumentet për ta siguruar intervistën dhe më vonë i kishte gënjyer menaxherët e BBC-së lidhur me to, ka treguar hetimi. BBC-ja ka bërë të ditur se raporti i shpërfaq “dështimet e qarta”, ndërsa ka kërkuar falje lidhur me këtë.

Bashir ka kërkuar falje për çështjen e dokumenteve, por ka shtuar se ato nuk kanë pasur ndonjë ndikim në vendimin e princeshës së ndjerë për t’u intervistuar.

Intervista për emisionin “Panorama” ishte një e arritur e madhe për BBC-në, pasi që gjatë saj princesha Diana kishte deklaruar famshëm: “Ne martesën tonë jemi tre veta”. Kjo ishte hera e parë që një anëtar i familjes mbretërore fliste haptas për rrethanat e brendshme në Pallat. Këtë deklarim të sajin shikuesit e kishin interpretuar si dëshmi se ajo nuk ishte e lumtur me martesën e saj me princin Charles, marrëdhënien e tyre dhe me lidhjen jashtëmartesore të princit.

Edhe Johnson, i shqetësuar për lëshimet e BBC-së në intervistën me Dianan Showbiz Johnson, i shqetësuar për lëshimet e BBC-së në intervistën me Dianan

Por qe atëherë, vëllai i Dianas, Earl Spencer, ka vënë në pikëpyetje taktikat e përdorura nga gazetari për ta siguruar intervistën. Hetimi i pavarur lidhur me rastin është iniciuar nga BBC-ja vitin e shkuar, pasi që Earl Spencer ngriti dyshime në mënyrë publike.

Lordi Dayson, gjykatësi i pensionuar që ka udhëhequr hetimet, ka thënë se BBC-ja nuk ia ka dalë që t’i përmbushë standardet e larta të integritetit dhe transparencës, ani pse këto janë shenjat e saja dalluese në profesion. Ai ka konstatuar se Bashiri ka mashtruar vëllain e Diana, duke i treguar atij dokumente të rreme për t’ia përfituar besimin ashtu që ta prezantonte atë me princeshën.

Hetimi ka treguar gjithashtu se Bashiri më pas ka gënjyer menaxherët në BBC se nuk i kishte treguar askujt dokumente të rreme. Ndërkaq pjesët kryesore të dëshmisë së Bashirit janë përshkruar si “të pabesueshme, të paqëndrueshme dhe në disa raste të pasinqerta”.

“Ndonëse raporti cek se princesha e Uellsit, Diana, ka qenë e vetëdijshme për idenë e intervistës me BBC-në, është e qartë se procesi i sigurimit të intervistës nuk ka përkuar me standardet që audienca me të drejtë i pret. Ndiejmë keqardhje të thellë lidhur me këtë. Lordi Dyson ka identifikuar probleme të sakta”, ka bërë të ditur të enjten drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie.

Edhe Dokumentari i ri për Princeshë Dianën zbulon regjistrime intime të padëgjuara Showbiz Dokumentari i ri për Princeshë Dianën zbulon regjistrime intime të padëgjuara

Ndërkaq shefi i korporatës, Richard Sharp, ka thënë se BBC-ja “i pranon pa rezerva” gjetjet e raportit, të cilat i pasqyrojnë qartë “dështimet e papranueshme”.

“Nuk gjejmë ngushëllim në faktin se ato tani i takojnë historisë”, ka thënë ai.