Showbiz

“Barbie” dhe “Oppenheimer” më të nominuarit për çmimet “SAG” 

“Barbie” dhe “Oppenheimer” janë filmat më të nominuar sivjet për çmimet “SAG”, të cilat i ndanë Shoqata e Aktorëve në Hollywood. Dy projektet po garojnë kokë më kokë edhe në këtë sezon të shpërblimeve, pas betejës së ngjashme dhe goxha të suksesshme në arkat filmike botërore.

Komedia “Barbie” dhe drama “Oppenheimer” i morën nga katër nominime secili, përfshirë këtu edhe kategorinë “Ekipi më i mirë në film”. Për çmimin kryesor të mbrëmjes ata garojnë krahas filmave, “Killers of the Flower Moon”, “American Fiction” dhe “The Color Purple.”

Në kategoritë për televizion, seriali “Succession” arriti t’i sigurojë 5 nominime për sezonin e tij të fundit. Pas tij me nga katër nominime renditen, “Ted Lasso”, “The Bear” dhe “The Last of Us”.
Për çmimin “Ekipi më i mirë në dramë”, “Succession” garon krahas projekteve televizive, “The Crown”, “The Gilded Age”, “The Last of Us” dhe “The Morning Show”, kurse në kategorinë “Ekipi më i mirë në komedi” të nominuara këtë vit janë serialet, “The Bear”, “Ted Lasso”, “Only Murders in the Building”, “Abbott Elementary” dhe “Barry”.

Studioja “Warner Bros. Discovery” ka më së shumti nominime nga çdo kompani tjetër, duke u nominuar në 20 kategori të ndryshme për filmat dhe serialet e saj. Më pas vijnë Netflixi me 12 nominime dhe “Apple TV” me 11 nominime.

Shpërblimet “SAG” kanë për qëllim t’i nderojnë disa prej filmave dhe serialeve më të mira të lansuara gjatë një prej viteve më të trazuara në historinë e shoqatës së aktorëve, anëtarët e së cilës hynë në grevë për 118. 

Përzgjedhja e fituesve të kësaj ceremonie shqyrtohet nga afër, sepse shpeshherë përkon me fituesit të çmimit “Oscar”. Në fund të fundit, shumë prej anëtarëve të saj janë gjithashtu pjesë e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit. 

Sivjet janë disa projekte dhe aktorë që janë lënë anash si, Leonardo DiCaprio, i cili nuk arriti të marr nominim për rolin e tij në filmin e Martin Scorseses, “Killers of the Flower Moon”, apo Greta Lee, e cila pranoi vlerësime të larta për performancën në filmin “Past Lives”. Megjithëkëtë aktorja e njohur latine, Penélope Cruz, arriti të nominohet në kategorinë “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, për rolin e fundit në filmin “Ferrari”. 

Edicioni i 30-të i ceremonisë “SAG” do të mbahet më 24 shkurt si dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në Netflix, për herë të parë nga arritja e një marrëveshjeje disavjeçare mes organizatorëve të ngjarjes dhe platformës së njohur digjitale.

Marrë nga “Variety”, përktheu Edona Binaku