Këngëtari i njohur, Bad Bunny ka reflektuar së fundmi mbi mënyrën se si e imagjinon veten në të ardhmen, kur një ditë të “pensionohet” nga muzika.
31-vjeçari, i cili këtë vit do të performojë në spektaklin “Super Bowl”, ka treguar se ëndrrat e tij për të ardhmen janë shumë të thjeshta dhe të qeta, ka raportuar FemaleFirst.
I pyetur në emisionin The Late Show with Stephen Colbert që ta përshkruajë jetën e tij të ardhshme me vetëm pesë fjalë, ai u përgjigj: “I lumtur, i pensionuar, duke ngrënë tripleta, duke jetuar në Porto Riko”.
Tripleta është një sanduiç tradicional portorikan, i përgatitur me biftek, mish derri dhe proshutë, i shërbyer në bukë të thekur dhe zakonisht i mbushur me djathë, sallatë, domate, qepë dhe patatina.
Bad Bunny ka folur edhe gjatë rubrikës Colbert Questionnaire, ku u pyet për kujtimin e tij më të hershëm.
“Më kujtohet që shikoja një foto të një vajze. Ishte në një libër. Mamaja ime kishte një libër me fotografi dhe aty ishte një vajzë që ishte dashuria ime e parë”, ka thënë ai.
Muzikanti ka pranuar se nuk e dinte kurrë kush ishte ajo vajzë dhe tha se “qaja për këtë”.
Ndërkohë, këngëtari i hitit “Dakiti” u është përgjigjur kritikëve lidhur me performancën e tij të ardhshme në “Super Bowl”, duke insistuar se fansat e tij “në mbarë botën” do të jenë të lumtur ta shohin në këtë ngjarje madhore.
“Sidomos për të gjithë latinët dhe latinet në Shtetet e Bashkuara, që kanë punuar për të hapur dyer. Kjo është më shumë se një fitore për mua, është një fitore për të gjithë ne. Gjurmët tona dhe kontributi ynë në këtë vend nuk do të mund t’i fshijë askush. Nëse nuk e kuptuat çfarë thashë, keni katër muaj kohë për ta mësuar”, ka thënë ai në spanjisht.
Mes kritikëve të këtij vendimi është edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili e ka përsëritur kundërshtimin e tij.
“Jam kundër tyre. Mendoj se është një zgjedhje e tmerrshme. E vetmja gjë që bën është të përhapë urrejtje. E tmerrshme”, ka thënë ai për The New York Post.