Këngëtarja me prejardhje latine, Shakira, ka lavdëruar publikisht këngëtarin, Bad Bunny, para performancës së tij të shumëpritur në “Super Bowl”.
48-vjeçarja është shprehur e lumtur që reperi portorikan do të ketë mundësinë të performojë “në skenën më të madhe në botë” në shkurt të vitit të ardhshëm.
Shakira, e cila në vitin 2020 ndau skenën e “Super Bowlit” me Bad Bunnyn dhe J Balvin, i tha revistës Variety se end e kujton atë performancë.
“Ka ardhur koha! Mbaj mend kur bëmë performancën tonë, edhe fakti që një pjesë e setit ishte në spanjisht konsiderohej hap i guximshëm. Pranimi i muzikës në gjuhën spanjolle si pjesë e kulturës kryesore ka ardhur shumë larg nga koha kur unë nisa karrierën”, ka thënë ylli.
Ajo ka shtuar se i pëlqen të mendojë se të gjitha herët kur muzika e saj u prit me rezistencë ose hutim nga bota anglishtfolëse, para se të përqafohej, ndihmuan të hapet rruga për aty ku qëndron tani.
“Jam shumë krenare që Bad Bunny, i cili përfaqëson jo vetëm kulturën latine, por edhe rëndësinë e muzikës në spanjisht në nivel global, po performon në skenën më të madhe në botë. Ky është momenti perfekt për një performancë të tillë. Mezi pres ta shoh”, ka thënë Shakira.
Ndërkohë, vetë Bad Bunny u është përgjigjur kritikëve të tij me humor, duke u thënë se kanë “katër muaj kohë për të mësuar spanjisht” para “Super Bowlit”.
“Jam vërtet i emocionuar që do të performoj në ‘Super Bowl’. E di që njerëzit në mbarë botën që duan muzikën time janë po aq të lumtur”, ka thënë ai përgjatë emisionit të mirënjohur Saturday Nigt Live (SNL).
Pastaj, reperi i hitit “Dakiti” kaloi për 30 sekonda në gjuhën amtare dhe dërgoi një mesazh të fuqishëm për komunitetin latin.
“Sidomos për të gjithë latinët në SHBA që kanë punuar për të hapur dyert. Kjo nuk është vetëm një fitore për mua, por për të gjithë ne. Gjurmët dhe kontributin tonë në këtë vend, askush nuk do të mund t’i fshijë kurrë”, ka thënë ylli.