Aktori legjendar Anthony Hopkins, 87-vjeçar, ka treguar momentin e rrallë të ndërgjegjësimit që e bëri të ndalonte alkoolin përgjithmonë, pas dekadash varësie. Hopkins, i cili festoi 49-vjetorin e tij pa alkool dhjetorin e kaluar, tha se gjithçka ndodhi një natë në Kaliforni, teksa po voziste pa kujtesë dhe pa e ditur se ku po shkonte.
“Isha i dehur dhe po ngisja makinën këtu në Kaliforni, pa asnjë ide se ku po shkoja, kur papritur kuptova se mund të kisha vrarë dikë, apo edhe veten time, gjë për të cilën s’më interesonte shumë,” tregoi ai në podcastin The Interview të The New York Times.
“Në atë moment u vetëdijesova dhe i thashë një ish-agjenti tim në një festë në Beverly Hills: ‘Më duhet ndihmë.’”
Ylli i filmit The Silence of the Lambs kujton se më pas përjetoi një moment “të frikshëm”, kur dëgjoi një “zë mashkullor, të arsyeshëm, si nga radioja” që i foli nga brenda. Në atë çast, dëshira për të pirë u zhduk plotësisht.
“Ishte ora 11 e saktë, pashë orën. Dhe ja pjesa e frikshme: një zë i brendshëm më tha: ‘Mbaroi. Tani mund të fillosh të jetosh. Gjithçka ka pasur një qëllim, prandaj mos harro asnjë moment të saj,’” tha Hopkins.
“Që nga ajo ditë, dëshira për të pirë më iku. Nuk kam teori, përveçse mendoj se ishte diçka hyjnore, një forcë që e kemi të gjithë brenda nesh, vetëdija, forca e jetës.”
Aktori fitues i çmimit Oscar tregoi se kishte kaluar një fëmijëri të vetmuar dhe ishte bullizuar, gjë që e kishte shtyrë drejt alkoolit për të “mbytur dhimbjen dhe pasigurinë”.
“Alkooli të bën të ndihesh ndryshe menjëherë. Në atë kohë, aktorë si Peter O’Toole e Richard Burton pinin shumë dhe mendoja se ishte mënyra për të qenë rebel, për të festuar jetën. Por në prapaskenë e dija: kjo do të të vrasë,” rrëfeu ai.
Sot, Hopkins ndien vetëm mirënjohje që është ende gjallë:“Të gjithë ata që pija dikur janë larguar... Por unë, afër moshës 88 vjeç, zgjohem çdo mëngjes dhe them: ‘Jam ende këtu. Si?’ Nuk e di. Por çfarëdo që më mban gjallë, faleminderit shumë. Shumë mirënjohës jam.”