Aktorja e njohur për rolet në seritë e suksesshme televizive “Charmed” dhe “Beverly Hills 90210”, Shannen Doherty, në shkurt të vitit 2020 e bëri të ditur lajmin se është diagnostikuar me shkallën e katërt të kancerit në gji.
Doherty për herë të parë ishte diagnostikuar me kancer në vitin 2015, dhe pas operimit dhe trajtimeve tjera ajo kishte bërë të ditur se është shëruar plotësisht. Por, fatkeqësisht, asaj iu rikthye kjo sëmundje vdekjeprurëse.
Tani, në përditësimet e reja rreth gjendjes së saj shëndetësore, aktorja 52-vjeçare i informoi fansat se po i nënshtrohet terapisë me rrezatim pasi mësoi se sëmundja ka metastazuar në tru.
Doherty është zotuar gjithmonë të jetë e sinqertë me fansat në lidhje me luftën e saj me kancerin. Ajo po ashtu ka vendosur që të mos ndalojë së punuari, duke luajtur në disa filma të ndryshëm, duke përfshirë trilerin e mbushur me skena aksion, “Fortress”, i cili u publikua në vitin 2021 dhe në të luante edhe ylli i Hollywoodit, Bruce Willis.
Sipas kanalit NBC, Shannen ka përdorur famën e saj për të inkurajuar fansat që të planifikojnë mamografi dhe kontrolle të rregullta mjekësore. Në një deklaratë të fundit për “Entertainment Tonight”, aktorja tha se ëndrra e saj përfundimtare është që kërkimi i kancerit të përparojë mjaftueshëm, në mënyrë që një kurë të jetë e disponueshme për të tjerët që po ballafaqohen me këtë sëmundje.