Aktorja britanike Lucy Davis, e njohur për rolin e Dawn Tinsleyt në versionin origjinal britanik të projektit filmik “The Office”, ka bërë të ditur se po përballet me kancer të gjirit në fazën e katërt, ka shkruar BBC.
53-vjeçarja ka treguar se u diagnostikua rreth një vit e gjysmë më parë dhe se kanceri është përhapur në shtyllën kurrizore, ijën e djathtë dhe brinjë.
“Një vit e gjysmë më parë u diagnostikova me kancer gjiri në fazën e katërt, i cili është përhapur në eshtrat e mia. Kanceri është i pashërueshëm dhe është tepër vonë për kimioterapi”, ka shkruar Davis në një postim në Instagram.
Aktorja ka treguar se shenja e parë ishte shumë e vogël dhe pothuajse nuk e kishte kontrolluar.
“Ajo që ndjeva fillimisht nuk ishte tamam një ‘gungë’, por më shumë një zonë e vogël dhe e fortë. Ishte vërtet shumë e vogël”, ka thënë ajo.
Edhe
J.Lo ka treguar si u përgatit për skenën e saj me bikini në filmin "Office Romance"
Për këtë arsye, ajo u bëri thirrje njerëzve të mos i neglizhojnë ndryshimet në trup.
“Mos injoroni asgjë dhe kontrollojeni çdo gjë”, ka thënë ajo.
Davis ka thënë se, pavarësisht sëmundjes, po përpiqet ta jetojë jetën me sa më shumë gëzim.
“Tash për tash po përpiqem ta jetoj pjesën që mund të më ketë mbetur nga jeta në mënyrën më argëtuese që mundem. Nuk kam frikë nga ajo që vjen më pas. Jam në paqe me të”, ka thënë ajo.
Aktorja, e cila ka luajtur edhe në filma si “Shaun of the Dead” dhe “Wonder Woman”, ka thënë se dëshiron të vazhdojë karrierën.
“Ende dua të punoj. Jam plotësisht në gjendje ta bëj këtë dhe aktrimi është një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime”, ka thënë ylli.
Postimi i saj mori shumë mesazhe mbështetëse.
Edhe
Elle Fanningun e befasuar nga nominimi për çmim “Oscar”
“Postim i mrekullueshëm. Të dua shumë. Dhe po, le të vazhdojmë të punojmë edhe me kancerin! Le ta përhapim këtë mesazh kudo. Puna mund të jetë një ngushëllim i madh”, i ka shkruar aktorja e versionit amerikan të “The Office”, Jenna Fischer.
Edhe krijuesi dhe aktori i “The Office”, aktori i njohur Ricky Gervais, i shprehu mbështetjen duke komentuar me një zemër.
Davis e mbylli mesazhin e saj me një reflektim për njerëzit që po kalojnë të njëjtën përvojë.
“Kanceri kërkon shumë energji prej nesh, fizikisht dhe mendërisht. Dhe secili prej nesh ka të drejtë të përballet e të në mënyrën që zgjedh vet”, ka thënë ajo.
Çka është kanceri i gjirit në fazën e katërt?
Në fazën e katërt, kanceri i gjirit është përhapur nga gjiri në pjesë të tjera të trupit. Në këtë fazë, sëmundja konsiderohet e pashërueshme, megjithëse trajtimet mund ta kontrollojnë atë dhe, në disa raste, ta mbajnë nën kontroll për vite me radhë.
Edhe
Cristiano Ronaldo konfirmon martesën me Georgina Rodriguez
Shenjat që duhen kontrolluar mund të përfshijnë një gungë ose zonë të fortë në gji, kraharor ose sqetull, ndryshime në madhësinë apo formën e gjirit, ndryshime të lëkurës, si skuqje ose gropëzime, ndryshime në thithke, si dhe rrjedhje nga thithka, sidomos nëse përmban gjak.
Një ndryshim i ri në gji nuk do të thotë domosdoshmërisht kancer, por është e rëndësishme të kontrollohet nga mjeku.