Reperi i njohur amerikan, 50 Cent, ka ndezur sërish përplasjen e gjatë me kolegun e tij, Sean ‘Diddy’ Combs, duke postuar në Instagram një video të krijuar me inteligjencë artificiale që e tall Combs për fiksimin e tij me vajin e foshnjave, ka raportuar FemaleFirst.
50 Cent, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson (49 vjeç), publikoi videon gjatë fundjavës, ndërkohë që Diddy (55 vjeç) po qëndron në paraburgim në New York, në pritje të shpalljes së dënimit më 3 tetor. Ai u akuzua për vepra kriminale, përfshirë trafikim seksual, por u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, ndërsa u dënua për dy akuza më të lehta që kanë të bëjnë me organizimin e udhëtimeve për qëllime prostitucioni.
“Nuk e dija që Diddy ecën në sfilatat e Michael Amirit. Kur doli me kusht ai?”, ka shkruar 50 Cent në përshkrimin e videos.
Pamjet tregojnë një personazh që i ngjan Diddyt duke parakaluar në pasarelë me një fustan rozë, ku në pjesën e përparme shkruan emri i vajit të bebeve “Johnson & Johnson”. Kjo video u publikua fillimisht nga llogaria @Geisha305 në Instagram dhe ka në sfond këngën “Baby Oil Freak Off Party” nga artisti Jody2Good, një këngë e publikuar në vitin 2023, pas arrestimit të Diddyt.
Referencat lidhen me provat që dolën gjatë gjyqit të Combs, ku u zbulua se ai mbante qindra shishe me vaj foshnje që përdoreshin në festat e tij seksuale të njohura si “Freak Off”.
Postimi i 50 Cent mori vëmendje të menjëhershme dhe dizajneri Michael Amiri, 47 vjeç, komentoi poshtë videos: “Hajde tash 50, mos më përfshi edhe mua në këtë”.
Videoja u publikua pak kohë pas një tjetër momenti viral, ku influenceri Armon Wiggins, 38 vjeç, u kritikua pasi u filmua duke kërcyer pa bluzë dhe duke u spërkatur me vaj foshnje jashtë gjykatës, pas shpalljes së vendimit për Diddyn.
“Duke raportuar këtë rast, po përpiqesha të ktheja një situatë të errët dhe të rëndë në diçka më të kuptueshme për njerëzit. Nuk po tallem me viktimat”, ka sqaruar Wiggins, në podcastin “The Trial of Diddy”, te gazetares Kayla Brantley.
Ai ka shtuar se ka qenë në gjyq që nga fillimi e deri në fund.
“Ishim të lodhur dhe donim ta festonim që ia dolëm deri në fund. Ishte thjesht një moment spontan me një tjetër YouTuber, dhe papritur na rrethuan kamerat dhe dritat”, ka thënë tutje ai.
Wiggins ka mohuar se ka përfituar nga videoja.
“Mora shumë urrejtje dhe humba ndjekës. I thashë vetes: Duhet të piqem dhe të mësoj të kontrolloj narrativën, sepse ishte e papërgjegjshme. Edhe nëse fansat e mi e kuptonin qëllimin, kjo nuk ka rëndësi kur ke 150 kamera përreth në një situatë të tensionuar. Duhet të jesh më i mençur se kaq”, ka thënë ai.
Duke reflektuar për mënyrën si mediat e paraqitën ngjarjen, ai gjithashtu ka thënë se sasia e vajit të foshnjave që përmendej në gjyq u bë qesharake.
“Tani nuk mund të thuash as ‘vaj foshnje’ pa qeshur. Në të vërtetë, po tallesha me Diddyn, ai u duk i çmendur. Sa shishe vaj foshnje i duhen një personi?”, ka thënë ai.