Showbiz

50 Cent reagon ndaj deklaratës së Trumpit për mundësinë e faljes së Diddyt nëse dënohet

50 Cent, Donald Trump

50 Cent, Donald Trump

Reperi amerikan 50 Cent ka thënë se do të ndërmarrë veprime pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ka dhënë një përgjigje befasuese për mundësinë e faljes së reperit P.Diddy, nëse shpallet fajtor për akuzat për trafikim seksual, ka raportuar UNILAD.

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 30 maj, presidenti Trump u pyet nga gazetari i Fox News, Peter Doocey, nëse do ta falte Combsin në rast se shpallet fajtor, ka rapaortuar Reuters.

“Askush nuk më ka pyetur, por e di që disa po mendojnë për këtë. E di që po mendojnë. Së pari, do të shihja çfarë po ndodh, nuk e kam ndjekur shumë nga afër, megjithëse po mbulohet gjerësisht në media. Nuk e kam parë dhe nuk kam folur me të prej vitesh”, është përgjigjur Trump.

Në një postim në Instagram, reperi 50 Cent, emri i vërtetë i të cilit është Curtis Jackson, u përgjigj me ton të ashpër ndaj komenteve të Trump, duke theksuar përplasjen e gjatë që ka pasur me Combsin.

“Ai (Combs) ka thënë gjëra shumë të këqija për Trump, dhe kjo nuk është në rregull. Do të kontaktoj presidentin që ta dijë si ndihem për këtë njeri. Donald nuk e duron mungesën e respektit dhe nuk harron kush i del kundër”, ka shkruar Jackson.

Reperi tutje ka thënë se Trump nuk ka vend për shpërqendrime ndërkohë që po punon “ta bëj Amerikën sërish madhështore”.

“Ndërsa po punon pa pushim për ta bërë Amerikën madhështore sërish, nuk ka vend për shpërqendrime. Ai do ta konsideronte faljen për këdo që është trajtuar padrejtësisht, por jo për Puffy Daddy”, ka thënë Jackson.

Një gazetare gjatë konferencës përkujtoi një moment nga viti 2012, kur Trump, gjatë emisionit The Celebrity Apprentice, e kishte quajtur Diddyn “mik të mirë”. Por presidenti ka sugjeruar se hyrja e tij në politikë e kishte ndryshuar raportin.

“Dikur më pëlqente shumë, por mendoj se kur hyra në politikë, ajo marrëdhënie u prish, të paktën nga sa kam lexuar. Kur kandidon për politikë dhe bën atë që është e drejtë, bëhesh person shumë ndryshe… vendi ynë po ecën shumë mirë për shkak të asaj që po bëjmë”, ka thënë Trump.

Tutje ai ka shtuar se mund të bëjë gjëra të tjera, dhe se është i sigurt që atij e të tjerëve do të ju pëlqente gjithashtu, por se nuk do të ishte aq e mirë për vendin.

“Nuk është një garë popullariteti, por unë sigurisht do të shqyrtoja faktet”, ka thënë presidenti.

Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, po përballet me gjyq në New York, ku akuzohet për trafikim seksual me forcë, mashtrim e shantazh, si dhe për pjesëmarrje në rrjet kriminal. Ai është arrestuar në muajin shtator të vitit 2024 në hotelin Park Hyatt në Manhattan dhe ka mohuar të gjitha akuzat që nga fillimi.

Gjatë gjyqit, janë dëgjuar dëshmi të shumta, përfshirë atë të ish-partneres së tij, këngëtares Cassie Ventura, e cila e ka akuzuar për dhunë fizike gjatë lidhjes së tyre.