Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Princ Leka dhe Elia Zaharia zyrtarisht i japin fund martesës

Princi Leka dhe Elia Zaharia kanë njoftuar zyrtarisht të hënën në mbrëmje që kanë rënë dakord për t’i dhënë fund martesës së tyre.

Në njoftimin e publikuar në faqen e Princ Lekës në Facebook, thuhet se marrëdhënia mes të dyve do të vazhdojë me motivin për rritjen dhe edukimin e së bijës së tyre.

“Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore. Pavarësisht besimit tek instituti i familjes LTM Princ Leka II beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhënies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë! Mirëqenia shpirtërore dhe fizike e vajzës, LSM Princeshë Geraldinës, do mbetet në qendër të vëmendjes së tyre, të përkushtuar për të siguruar një jetë të lumtur dhe të sigurt për Geraldinë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi po ashtu thekson se më s’do të bëhen deklarata a komente të mëtejshme dhe kërkohet që të respektohet e drejta për privatësi.

Çifti kishte kurorëzuar dashurinë më 2016. Katër vjet më pas u bënë prindër.