Showbiz

Grupi “Kiss” përmbyll karrierën, prezanton avatarët digjitalë

Të shtunën mbrëma, grupi i famshëm i muzikës rok, Kiss, bëri paraqitjen e fundit të turneut të tij lamtumirës "The End of the Road" në Madison Square Garden të New Yorkut, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Por, ashtu sikur që e dinë fansat e dedikuar të tyre, ata nuk po përshëndeten për të mos perfomuar më kurrë, pasi që pjesëtarët e grupit kanë krijuar avatarët e tyre digjitalë, që do të performojnë kudo që grupi vendos.

Gjatë shfaqjes së tyre, themeluesit e grupit, Paul Stanley dhe Gene Simmons, si dhe kitaristi Tommy Thayer dhe bateristi Eric Singer, u larguan nga skena për të zbuluar avatarët digjitalë të vetes. Pas transformimit, grupi virtual “Kiss” nisi të perfmonte këngën “God Gave Rock and Roll to You”.

Teknologjia e fundit u përdor për të shënuar një kapitull të ri të grupit rok “Kiss”, pas 50 vjetësh. Me këtë ata po synojnë një lloj pavdekshmërie digjitale.

Avatarët u krijuan nga kompania me efekte speciale e George Lucas, “Industrial Light & Magic”, në partneritet me “Pophouse Entertainment Group”. Grupi i fundit u bashkëthemelua nga Björn Ulvaeus, anëtar i grupit të muzikës, ABBA.

Dy kompanitë kohët e fundit u bashkuan për shfaqjen “ABBA Voyage” në Londër, në të cilën fansat mund të ndiqnin një koncert të plotë të grupit suedez me performancë nga avatarët e tyre digjitalë.

Per Sundin, shef i “Pophouse Entertainment”, ka thënë se kjo teknologji e re ia mundëson grupit “Kiss” ta vazhdojë trashëgiminë tij të “përjetshme”.

“Kiss mund të ketë koncert në tri qytete në të njëjtën natë, nëpër tri kontinente të ndryshme. Kjo është ajo që mund të bësh me këtë”, ka thënë ai.

Anëtarët e “Kiss” po ndjehen shumë mirë, pasi avatarët e tyre digjitalë, po i konsiderojnë si sukses të jashtëzakonshëm, por megjithatë nuk po u mjafton.

“Grupi meriton të jetojë, sepse grupi është më i madh se ne. Është emocionuese për ne të shkojmë në hapin tjetër”, ka thënë frontmeni i “Kiss”, Paul Stanley në një intervistë.

Kurse Gene Simmons ka thënë se grupi do të qëndrojnë përherë.

"Ne mund të jemi përgjithmonë të rinj dhe përgjithmonë ikona, duke na çuar në vende që nuk i kemi ëndërruar kurrë më parë. Teknologjia do ta bëjë Paulin të kërcejë më lart se më parë”, ka thënë Gene Simmons.