Showbiz

Këngëtari legjendar i grupit KISS pëson aksident

Grupi Kiss

Grupi Kiss

Foto: Associated Press

Gene Simmons, këngëtari legjendar i grupit KISS, është dërguar me urgjencë në spital pas një aksidenti me veturë në Malibu, pasi humbi vetëdijen gjatë ngasjes.

76-vjeçi po ngiste makinën  e tij në autostradën Pacific Coast Highway të martën (7 tetor 2025), kur papritur humbi ndjenjat dhe automjeti i tij përfundoi duke u përplasur me një veturë të parkuar.

Pas trajtimit në spital, Simmons është liruar dhe tashmë po rikuperohet në shtëpi. Ai ka thënë për televizionin NBC4 se “është mirë dhe ndjehet në rregull”, ka raportuar FemaleFirst.

Bashkëshortja e tij, aktorja Shannon Tweed, ka konfirmuar për të njëjtin kanal se “Gene humbi ndjenjat dhe vetura kaloi në disa korsi të trafikut përpara se të godiste një tjetër automjet”.

Tweed ka shpjeguar gjithashtu se mjekët kohët e fundit i kishin ndryshuar medikamentet dhe se ai duhet të konsumojë më shumë ujë, por “nuk është tip që pi shumë ujë”.

Departamenti i Sherifit të Los Angelesit ka thënë për NBC4 se makina e Simmons, një Lincoln Navigator, u përplas me një automjet të parkuar. Një dëshmitar ka lajmëruar menjëherë shërbimet e emergjencës, dhe policia e zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje. Sipas TMZ, fatmirësisht askush nuk u lëndua.

Një përfaqësues i Simmons ka konfirmuar për revistën PEOPLE se “Gene është mirë dhe është kthyer tashmë në punë”.

Aksidenti ndodhi vetëm një muaj para se grupi KISS të rikthehet në skenë për një koncert të veçantë “pa maska” në Las Vegas.

Grupi legjendar, që dha koncertin e tij të fundit në Madison Square Garden në New York në vitin 2023, do të performojë në ngjarjen “KISS Army Storms Vegas”, që do të mbahet nga 14 deri më 16 nëntor.

Simmons më parë kishte theksuar se koncerti i Madison Square Garden do të ishte “performanca e fundit e KISS me grim”.

“E vë dorën mbi Bibël, dhe duhet ta di mirë sepse populli im e ka shkruar atë libër. Madje populli im ka shkruar edhe librin vijues, Testamentin e Ri. Dhe po e them këtu, tani, me dorën mbi Bibël, do të jetë paraqitja e fundit e KISS me grim”, pati thënë ai për Rolling Stone në vitin 2023.