Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Turneu i fundit kaotik dhe i diskutueshëm i “Beatles”

Beatles

Pas euforisë së parë të suksesit global, turnetë kishin humbur shkëlqimin e tyre. Kur nuk performonin, “Beatles” ishin të kufizuar në aeroplanë, makina dhe dhoma hoteli. Në skenë, fansat i godisnin me karamele (jelly beans) – jo aq argëtuese sa mund të tingëllojë – apo me çfarëdo që kishin në dorë, përfshirë shishe dhe këpucë

"Beatles” mbajtën koncertin e tyre të fundit zyrtar më 29 gusht 1966, në “Candlestick” Park në San Francisco. Fotografitë e Jim Marshallit e kapin grupin në një moment vendimtar, kur ata tashmë ndienin nostalgji për atë që po linin pas.

Dy muaj më herët, “Beatles” kishin përfunduar incizimin e Revolver, një përmbledhje e shkëlqyeshme këngësh pop. Të nesërmen ata hipën në aeroplan për të nisur një turne global gjatë të cilit nuk do të luanin asnjë këngë nga ai album. Nuk ishte kokëfortësi: thjesht asnjë nga këngët nuk përshtatej për performancë “live”. Në skenë, ata ishin një bend me katër anëtarë. Vështirë se mund të luanin diçka aq komplekse sa “Eleanor Rigby” apo “Tomorrow Never Knows” para dhjetëra mijëra fansave.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tre vjet pas hitit të tyre të parë zhvillimi artistik i “Beatles” ishte ndarë në dy drejtime, njëri prej të cilëve po venitej. Deri atëherë, një incizim ishte fjalë për fjalë një regjistrim i një performance “live”. “Please Please Me”, albumi i parë i “Beatles”, ishte një përmbledhje performancash të rafinuara në skenë në Hamburg dhe Liverpool. Por “Beatles” kishin filluar ta shihnin studion si një platformë krijuese më vete: një vend ku mund të eksperimentonin me tinguj të ndryshëm dhe të bënin gjëra që askush tjetër nuk i kishte bërë. Kjo i entuziazmoi në një mënyrë që koncertet “live” nuk i entuziazmonin më.

Ndërsa artistë si Bob Dylan dhe “Rolling Stones” po shpiknin atë që sot do ta njihnim si koncert modern rock, mendjet e “Beatles” ishin diku tjetër. Si pasojë, edhe pse incizimet e tyre po vraponin drejt së ardhmes, koncertet e tyre mbeteshin të ngulitura në të kaluarën. Formati i një koncerti të “Beatles” në vitin 1966 ishte ende një lloj spektakli i tipit “package-tour”, me pesë ose gjashtë performues. “Beatles” dilnin në fund, luanin një set të shpejtë prej rreth gjysmë ore dhe përshëndeteshin.

Pas euforisë së parë të suksesit global, turnetë kishin humbur shkëlqimin e tyre. Kur nuk performonin, “Beatles” ishin të kufizuar në aeroplanë, makina dhe dhoma hoteli. Në skenë, fansat i godisnin me karamele (jelly beans) – jo aq argëtuese sa mund të tingëllojë – apo me çfarëdo që kishin në dorë, përfshirë shishe dhe këpucë. Në një koncert të vitit 1965 në “Cow Palace” në California, një turmë fansash kaloi përtej policisë: në shtypjen që pasoi, 30 persona u lënduan, kryesisht vajza adoleshente. Joan Baez, e cila, së bashku me Dylan, ishte bërë mike me “Beatles”, ishte e pranishme. Ajo u pa duke nxjerrë fëmijë nga turma dhe duke i çuar në siguri.) Në më shumë se një rast, “Beatles” morën kërcënime me vdekje para një koncerti.

Kur George Harrison tha se “Beatles” e shkëmbyen famën dhe paranë me sistemin e tyre nervor, pikërisht për këtë e kishte fjalën. Ndërkohë, në çdo qytet ku zbarkonin, grupi duhej t’u përgjigjej pyetjeve të kota në konferenca për shtyp, me çfarëdo rezerve sharmi që u kishte mbetur. Ata ndiheshin të bllokuar brenda imazheve publike që po bëheshin gjithnjë e më të parehatshme. Siç e tha John Lennon: “Ne kemi qenë “Beatles” sa më mirë që kemi mundur – ata katër djem të hareshëm. Por ne nuk jemi më ata njerëz”.

Megjithatë, nuk ishte e lehtë të ndaleshin turnetë. Një grup pop që nuk performonte “live” ishte pothuajse i paimagjinueshëm. Turnetë ishin fitimprurëse për “Beatles” dhe për të gjithë mekanizmin korporativ të agjentëve, promotorëve dhe shitësve të produkteve që ishte ngritur rreth tyre. Por, ndërsa nisën turneun në vitin 1966, ata po pyesnin veten nëse ia vlente. Turneu ua dha përgjigjen.
Pas disa koncerteve të vakëta në Gjermaninë Perëndimore, ata u nisën për në Tokyo, ku protestues që e shihnin grupin si kërcënim për vlerat japoneze marshonin nëpër rrugë me pankarta ku shkruhej “GO HOME “BEATLES”. Në Filipine, pa dashje shkaktuan një incident politik duke refuzuar të merrnin pjesë në një pritje të organizuar nga zonja e parë, Imelda Marcos. Në aeroport, gjatë largimit, u ofenduan dhe u shtynë nga një turmë e zemëruar. Ishin të tmerruar.

Në Amerikë, DJ-të në jugun e thellë kapën një deklaratë të rastësishme të Lennonit, ku ai thoshte se “Beatles” ishin më të njohur se Jesus, dhe nxitën një fushatë urrejtjeje që përfshinte djegie rituale të disqeve të “Beatles”. Në një moment, dukej sikur e gjithë karriera e tyre ishte në rrezik. “Beatles”, të mësuar me koncerte të mbushura plot, luanin në stadiume me mijëra ulëse bosh.

Turneu ishte episodi më stresues dhe më i rëndë i karrierës së tyre deri atëherë. Kur arritën në Candlestick Park për koncertin e fundit, ata e kishin rikthyer disi ekuilibrin. Fansat e tyre tashmë po e kthenin fushatën kundër tyre në një shaka sfiduese “Lennon Saves”. “Beatles” e kishin informuar menaxherin e tyre, Brian Epstein, se kishin mbaruar me turnetë. Pasi kishin qëndruar pranë njëri-tjetrit gjatë gjithë polemikave, ata ishin më të afërt se kurrë dhe më të sigurt për qëllimin e tyre krijues. Në këto fotografi duken të lodhur, por të vendosur ta shijojnë këtë koncert të fundit sa më mirë që të munden. McCartney i kërkoi një asistenti ta incizonte performancën si kujtim.

Atë natë ata e mbyllën koncertin me Long Tall Sally nga idhulli i tyre Little Richard. Pasi u përkulën përpara publikut, u futën me shpejtësi në një kamion të blinduar dhe u larguan. Një fazë e re do të fillonte së shpejti. Pas një pushimi, “Beatles” u mblodhën në Abbey Road në nëntor për të punuar në një këngë të re nga John, që do të quhej “Strawberry Fields Forever”.