Showbiz

Vdiq në moshën 74-vjeçare, kitaristi i grupit “KISS”, Ace Frehley

Kitaristi i “Kiss”, Paul Stanley në të djathtë, kitaristi Ace Frehley, në mes, dhe anëtari tjetër i grupit, Gene Simons, fotografuar gjatë perormancës në koncertin lamtumirës të grupit në Detroit, në muajin maj të vitit 2000.

Kitaristi i “Kiss”, Paul Stanley në të djathtë, kitaristi Ace Frehley, në mes, dhe anëtari tjetër i grupit, Gene Simons, fotografuar gjatë perormancës në koncertin lamtumirës të grupit në Detroit, në muajin maj të vitit 2000.

Foto: Associated Press

Ace Frehley, kitaristi i parë i grupit muzikor legjendar “Kiss” dhe një nga themeluesit e tij, ka vdekur në moshën 74-vjeçare.

Sipas agjentit të tij, Frehley ka vdekur të enjten, i rrethuar nga familja e tij në Morristown të New Jerseyt. Familjarët kanë thënë në një deklaratë se janë “plotësisht të shkatërruar dhe me zemër të thyer”, por se do të kujtojnë gjithmonë të qeshurën dhe mirësinë e tij, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

“Kiss”, i njohur për hitet si “Rock and Roll All Nite” dhe “I Was Made for Lovin’ You”, ishte një ndër grupet më ikonike të viteve ’70, i famshëm për shfaqjet teatrale me flakë, gjak artificial dhe pamjet spektakolare në skenë. Frehley njihej si “Space Ace” ose “Spaceman”, për shkak të grimit të tij "kozmik" dhe kitarës që lëshonte tym e raketa gjatë performancave.

 “Jemi të tronditur nga humbja e Ace Frehley. Ai ishte një ushtar thelbësor dhe i pazëvendësueshëm i rokut gjatë disa prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së grupit. Ai është dhe do të mbetet përgjithmonë pjesë e trashëgimisë së Kiss”, thuhet në deklaratën e përbashkët të anëtarëve të grupit, Gene Simmons dhe Paul Stanley, pas lajmit për vdekjen e Frehleys. 

Ace Frehley, me emrin e vërtetë Paul Daniel Frehley, u lind në New York dhe nisi të luante në kitarë që në moshën 13-vjeçare. Para se të bashkohej me “Kiss”, ai luante në grupe lokale dhe në moshën 18-vjeçare, punoi si ndihmës në turnet e artistit Jimi Hendrix.

“Kiss” arriti kulmin në mesin e viteve ’70, duke shitur dhjetëra miliona albume dhe duke e kthyer pamjen e tyre karakteristike në një markë fitimprurëse. Kënga “Beth” ishte suksesi më i madh komercial në SHBA, duke arritur vendin e 7-të në tabelën “Billboard Hot 100” në vitin 1976.

Në vitin 2024, grupi ia shiti katalogun, emrin dhe të gjitha të drejtat intelektuale kompanisë suedeze Pophouse Entertainment Group, në një marrëveshje me vlerë mbi 300 milionë dollarë. Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në cilësinë e kryetarit të ri të Qendrës Kennedy, ka përfshirë “Kiss” ndër nderimet e këtij viti.

Megjithëse Frehley shpesh kishte përplasje me Simmons dhe Stanley, ai mbeti figurë e dashur për fansat. Pas largimit të tij në vitin 1982, ai u rikthye në mesin e viteve ’90 për ribashkimin madhështor të grupit, një rikthim që u vlerësua edhe nga brezat e rinj të rokut, përfshirë “Nirvana”, “Weezer” dhe “Melvins”, që e kishin përmendur “Kiss” si frymëzim.

Pas largimit të dytë në vitin 2002, Frehley dhe “Kiss” u përfshinë në polemika të tjera, sidomos gjatë përfshirjes së tyre në Rock & Roll Hall of Fame në vitin 2014, kur grupi refuzoi të performonte për shkak të mospajtimeve për përbërjen e anëtarëve.

“Frehley dhe Criss nuk meritojnë më të bëjnë grimin. Grimi fitohet. Nuk mjafton vetëm të kesh qenë aty në fillim”, kishte deklaruar atëherë Simmons për Rolling Stone.

Ndikimi i Ace Frehley në muzikë dhe stil ishte i madh.

Ai frymëzoi grupet e famshme të viteve ’80 si “Mötley Crüe” dhe “Poison”.

“Ace, vëllai im, nuk mund të të falënderoj mjaft për vitet e muzikës së mrekullueshme, për festivalet që kemi bërë bashkë dhe për kitarën tënde në ‘Nothing But A Good Time’”, ka shkruar në Instagram frontmeni i grupit “Poison”, Bret Michael.

Edhe grupe më të mëdha si “Metallica” dhe “Pantera”, si dhe ylli i muzikës country Garth Brooks, kanë shprehur admirim për Frehley. Në vitin 1994, Brooks bashkëpunoi me “Kiss” për një version të ri të këngës “Hard Luck Woman”.

Në vitet e fundit, Frehley kishte marrë pjesë në disa koncerte të veçanta të grupit, përfshirë edhe atë në Madison Square Garden në vitin 2023, që u shpall si koncerti i fundit i “Kiss”.

Ani pse Simmons dhe Stanley kanë thënë se nuk do të bëjnë më turne, ata kanë lënë të hapur mundësinë për shfaqje të tjera, duke vazhduar të promovojnë muzikën dhe trashëgiminë e grupit.